Afat deri të martën Isa Mustafës për shkarkimin e Jabllanoviçit

Lajme

Afat deri të martën Isa Mustafës për shkarkimin e Jabllanoviçit

Nga: Valbona Mazreku Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 13:48

Visar Ymeri deputet i Lëvizjes vetëvendosje tha se kryeministri Isa Mustafa ka kohë deri të martën me 3 shkurt që të shkarkojë ministrin për Komunitete dhe Kthim, Alaksandër Jabllanoviç, dhe të dërgojë për miratim në Kuvend ligjin për ndërmarrjet publike, që do të mundësonte që kombinati Trepça të kalojë nga ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje publike. Në të kundërt sipas Ymerit, kryeministri Mustafa dhe qeveria e tij do të përballen me revoltë qytetare.

Ndërsa Frashër Krasniqi, tha se policia e Kosovës, po vazhdon dhunën e saj edhe pas protestës së të martës , madje edhe në stacione policore, e kjo sipas Krasniqit po tregon se Isa Mustafa po do të instalojë shtet policor në vend.

“Mendojmë që krejt ky skenar është duke u bërë për t’i frikësuar qytetarët e Kosovës, në mënyrë që të mos bashkohen në protestat e radhës, mirëpo Qeveria e Isa Mustafës dhe shteti policor që këta janë duke dashur ta bëjnë në Kosovë po harrojnë që e kanë zgjedhur momentin e gabuar. Sot Revolta qytetare e njerëzve të pa perspektivë, e qytetarëve të varfër është shumë e madhe, është revoltë e tillë e cila nuk zbrazet prej dhunës të cilën këta janë duke e ushtruar”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqi, entuziazmi i qytetarëve për protestën e së mërkurës është shumë më i madh sesa dy protestat e kaluara, dhe dhuna e përdorur nga policia e Kosovës, është dhunë që po e rrit revoltën dhe mllefin e qytetarëve.

Ndërsa Visar Ymeri, tha se qeveria përmes dhunës policore po shfaq frikën që ka për tu përballët me Jabllanoviçin dhe Serbinë.

“Dhuna e policisë jo vetëm gjatë ditës së protestës që ka qenë aty e pranishme deri në fund të protestës, por edhe gjatë ditëve pas protestës, është dëshmi e panikut të Qeverisë. Kjo Qeveri është në panik dhe është e frikësuar, dhe tani e kemi një situatë kur të frikësuarit po tentojnë t’i frikësojnë qytetarët” tha Ymeri.

Protesta e radhës do të mbahet të mërkurën në ora 12:00 dhe kërkesat kryesore mbeten shkarkimi i Jabllanoviçit dhe ligji për Trepçën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat