Mustafa: Vepra e Zahir Pajazitit me shokë udhërrëfyese e përgjegjësisë sonë

Lajme

Mustafa: Vepra e Zahir Pajazitit me shokë udhërrëfyese e përgjegjësisë sonë

Më: 31 janar 2015 Në ora: 14:15

Në akademinë përkujtimore, të organizuar me rastin e 18-vjetorit të rënies së komandantit Zahir Pajaziti dhe të Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se janari është muaji i përkujtimit të shumë ngjarjeve tragjike që ka përjetuar populli ynë, që nga epoka e Gjergj Kastriotit—Skënderbeut, deri në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës, në vitet e stuhishme 1998-99.

“Edhe 31 janari, dita e fundit e këtij muaj tragjik, na mbledh çdo vit për të përkujtuar rënien në altarin e lirisë të tre emrave të dalluar të historisë sonë më të re, të tre heronjve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, të cilët ranë më 31 janar të vitit 1997, në një pritë klasike që u kishin vënë forcat e shumta policore-ushtarake serbe”, ka thënë Mustafa në akademinë përkujtimore për tre heronjtë, të organizuar nën patronazhin e tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Sipas Mustafës, jeta, veprimtaria dhe flijimi i këtyre tre heronjve të Kosovës është një dëshmi e fuqishme e dashurisë së madhe të popullit tonë për lirinë e atdheut, për të cilën u deshën shumë e shumë akte të tilla trimërie e vetëflijimi.

“Zahir Pajaziti, njëri ndër themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe dy bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, dhanë jetën të përkushtuar tërësisht për idealin e shenjtë të çlirimit të vendit. Veprimtaria e tyre e gjatë për kauzën e lirisë dhe të pavarësisë është një shembull unik i vendosmërisë së popullit të Kosovës për të luftuar për liri, për paqe dhe për prosperitet, ashtu si të gjithë popujt e tjerë të emancipuar e liridashës. Flijimi i tyre, sikundër e gjithë lufta sublime e popullit të Kosovës për liri e pavarësi, është e panjollë, sepse u bë në mbrojtje të njerëzve të këtij vendi, në mbrojtje të së drejtës themelore të popujve për liri e barazi, pa dallim gjuhe, race apo etnie”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë më tej se “lufta e popullit të Kosovës u zhvillua këtu, në tokën tonë, në pragjet tona, sepse ne, asnjëherë përgjatë historisë sonë mijëravjeçare, nuk e sulmuan askënd, nuk e rrezikuam askënd, përkundrazi gjithherë ishim të detyruar të zhvillonim luftëra mbrojtëse kundër agresioneve të shumta që na ndodhën nga popujt e tjerë”.

Kryeministri Mustafa ka thënë se Pajaziti kishte filluar në vitin 1991 stërvitjet ushtarake në Shqipëri në mesin e grupit që bartën barrën e organizimit të Luftës Çlirimtare në Kosovë.

“Është e njohur veprimtaria e tij në konsolidimin e shtabeve në rrethinën e Orllanit dhe në zgjerimin e pikave të UÇK-së edhe në pjesë tjera të Kosovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat