Policia austriake kap në tren 95 refugjatë nga Kosova

Lajme

Policia austriake kap në tren 95 refugjatë nga Kosova

Më: 31 janar 2015 Në ora: 12:11

Plot 95 shtetas nga Kosova janë kapur nga policia austriake të premten në një tren në Austri, që udhëtonte nga Hungaria, me drejt Gjermanisë, në Munih.

Policëve, të cilët po patrullonin në tren u kishin rënë në sy 95 refugjatë, në mesin e të cilëve burra, gra dhe fëmijë derisa treni po udhëtonte në mes të qyteteve austriake Linz dhe St. Polten.

Emigrantët ilegalë ishin ndaluar nga policia në Linz dhe janë dërguar në qendrën e policisë për të huaj, ku të gjithë personat kanë bërë kërkesë për azil, njoftojnë autoritetet policore. Policia ka pasur mjaft punë dje për t`u siguruar strehim gjithë këtyre njerëzve.

Ajo i ka vendosur ata pjesërisht në një sallë sporti dhe një pjesë tjetër në qendrën e pranimit të azilit në St. Georgen dhe Attergau.

Rastet kur kosovarët kapen gjatë udhëtimit të tyre ilegal me tren nëpër Austri, nuk janë të rralla. Jo më larg se të enjten policët kishin kapur dhjetë kosovarë në një tren që udhëtonte nga Vjena drejt Passaut, shkruan neues volksblatt.

Por, policia e Linzit asnjëherë deri më tash nuk ishte përballur me një numër kaq të madh refugjatësh të kapur përnjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat