Udhëheqës shtetërorë dhe politikë kanë bërë homazhe para shtatores së heroit kombëtar, Zahir Pajaziti, në 18 vjetorin e vdekjes së tij. Veprën e tij e çmuan lartë të gjithë, por as në këtë rast nuk i kanë lënë anash inatet e tyre politike. Isa Mustafa e Ramush Haradinaj edhe pse bënë homazhe në të njëjtën kohë, ata hezituan ta përshëndesin njëri tjetrin.
Liderët shtetërorë dhe udhëheqës të partive politike kanë bërë homazhe te shtatorja e heroit kombëtar, Zahir Pajaziti, në 18 vjetorin e vdekjes së tij. Vepra e Zahir Pajazit u vlerësua lartë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se Zahir Pajaziti ishte frymëzues për ushtarët e tjerë.
“Sot erdhëm ti bëjmë nderimin tonë Zahir Pajazitit heroit të popullit i cili ishte ndër të parët në Lëvizjen për çlirim të Kosovës e që dha kontribut të jashtëzakonshëm, po ashtu ishte edhe në sy të regjimit të atëhershëm serb, u vra në pritë mirëpo pas vetes la një trashëgimi të madhe", ka thënë Mustafa.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi tha se në këtë përvjetor po kujtohet vepra e komandantit Zahir Pajaziti, e cila kontribuojë që sot Kosova të jetë e pavarur dhe çdo herë e më e konsoliduar.
Homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ka bërë edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai tha se lufta dhe veprimtaria e Zahirit dhe bashkëluftëtarëve të tij nuk do të harrohen, duke shtuar se ende nuk është bërë ajo për çka luftuan komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në 18 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Zahir Pajaziti homazhe ka bërë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, se bashku me udhëheqësit tjerë të kësaj lëvizje.
Kurti tha se sot ndjenë dhimbje që, siç u shpreh, nuk ka me njerëz si Zahiri por në të njëjtën kohë janë krenar për veprën dhe punën e tij. Ai shtoi se ideali i tij duhet të jetë udhërrëfyes për të ecur përpara.
Por edhe pse kishin ardhur për të nderuar një hero kombëtar, liderët politikë nuk i lanë anash inatet që kanë mes vete.
Kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i AAK-së , Ramush Haradinaj, edhe pse u takuan gjatë homazheve, ata nuk e përshëndetën njëri tjetrin.
Haradinaj tha se nuk e ka parë Isa Mustafën, sepse në të kundërtën do ta përshëndeste