Vetëm edhe 8 protestues në mbajtje

Lajme

Vetëm edhe 8 protestues në mbajtje

Nga: Diana Bunjaku Më: 30 janar 2015 Në ora: 16:17

Prej 138 të arrestuarve, të cilëve iu është dhënë epiteti “protestues të dhunshëm” gjatë protestës së 27 janarit, kanë mbetur vetëm edhe 8 persona (protestues) për të mbajtur dënimin me nga 30 ditë paraburgim, kurse të gjithë të tjerët janë liruar për në shtëpi.

Të gjithë këta “ protestues të dhunshëm” do të mbrohen në liri, pasi që prokuroria ka humbur afatin ligjor, për ta dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit 24 orësh.

Sipas avokatëve, kjo është bërë e mundur për shkak të dispozitave ligjore, ku thuhet “ Se të gjithë të arrestuarve të cilëve u ka kaluar afati prej 48 orësh, pa dalë para gjykatës, do duhet të lirohen”.

Të arrestuarit janë liruar sot ( e premte) më 30 janar, nga prokurorët, pasi që gjykata, kishte vonuar të dërgojë me kohë kërkesën në prokurori. Bëhet e ditur se të gjithë protestuesit janë arrestuar me datën 27 janar, rreth orës 16:00 , ndërsa kërkesa kishte humbur afatin 24 orësh, pasi është dorëzuar me datën 28 janar, në ora 20:30 në gjykatë, që nënkupton se afro 4 orë kishte humbur afatin e caktuar.

Avokatja, Fehmie Gashi Bytyçi tha se, për shkak të kalimit të afatit, në këtë çështje ishin tërhequr edhe vet, prokurorja dhe gjykatësi, prandaj të gjithë të arrestuarit e protestës me përjashtim te 8 prej tyre, janë liruan për në shtëpi në mbrojtje të lirisë.

Edhe Avokatja Albana Kelmendi, ka thënë se protestuesve të arrestuar u ka kaluar afati për të dalë para gjyqtarit të procedurës dhe rrjedhimisht lihen të lirë.

Të njëjtën e kanë konfirmuar edhe avokatet Sevdali Zejnullahu, dhe Arianit Koci, të cilët thanë se për shkaqe procedurale të gjithë të arrestuarit të cilët deri më tani kanë dalë para gjyqtarit, janë liruar dhe e njëjta pritet të ndodhë edhe me ata 8 të tjerë që do të dalin para gjyqtarit në ditët e ardhshme.

“ Fëmijët tanë, nuk janë as kriminelë, e as vrasës”

Megjithatë prindërit e protestuesve tjerë, të cilëve iu është shqiptuar masa e dënimit prej 30 ditësh, vazhdojnë ende t’i kërkojnë fëmijët e tyre, nëpër stacionet policore dhe para gjykatave në Prishtinë.

Njëri nga prindërit F. I. i cili kishte ardhur nga Obiliqi, tha për “ Bota sot” se kjo është e pa drejtë nga ana e gjykatës, që atyre tu vazhdohet dënimin, pasi sipas tij, fëmijët e tyre, që po e vuajnë dënimin, nuk janë ‘as kriminelë, e as vrasës, për ti mbajtur më gjatë’.

Lideri Kurti, vjen me strategji paqësore

Por edhe përkundër arrestimeve dhe lirimeve të 138 protestuesve, Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partitë tjera opozitare, megjithatë kanë paralajmëruar sërish protestë të mërkurën me datën (4 shkurt) për të kërkuar sërish, shkarkimin e ministri Aleksandar Jabllanoviq dhe për shtetëzimin e kombinatit metalurgjik Trepça.

Bëhet e ditur se kësaj here Lëvizja Vetëvendosje e ka ndryshuar strategjinë e të bërit protestë, duke kaluar nga dhuna në rezistencë paqësore para ndërtesës së Qeverisë në sheshin “Skënderbeu”.

“Vetëvendosje dhe aleatët e saj opozitar, kanë për qëllim që të protestojnë të mërkurën duke qëndruar se paku për 48 orë para objektit të Qeverisë në sheshin Skënderbeu”.

Po ashtu mësohet se tashmë Vetëvendosje ka filluar të grumbullojë tenda, reflektor, zërim, derivate dhe ushqim që protestuesit të “akomodohen” për 48 orë. Dihet se dy protestat e kaluara, kanë qenë të dhunshme, sidomos ajo e së martës, ku kanë mbetur të lënduar qindra persona, e shumë policë, por këtë radhë lideri i VV, Albin Kurti do të vjen me një strategji të re./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat