Në Komunën e Podujevës, asnjë vrasje gjatë vitit 2014

Lajme

Në Komunën e Podujevës, asnjë vrasje gjatë vitit 2014

Më: 30 janar 2015 Në ora: 14:53

Në mbledhjen Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Komunës së Podujevës gjendja e sigurisë është vlerësuar e qetë, kurse inkurajon fakti se gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë rast të vrasjes dhe është shënuar shkalla më e ulët e rasteve kriminale të raportuara, krahasuar me të gjitha vitet e tjera të periudhës së pasluftës.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB), në mbledhjen e sotme, të cilën e ka kryesuar Faik Muçiqi - drejtor i Drejtorisë për Shërbimeve Publike, Mbrojtje e Shpëtim, ka analizuar gjendjen e sigurisë në Komunë dhe ngritjen e grupit punues për përgatitjen e propozimit të planit të punës të KKSB për vitin 2015 si dhe përgatitjen e informatës për aktivitetet e KKSB-së për vitin 2014.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunë, në periudhën dhjetor 2014-janar 2015 ka raportuar komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, majori Isak Ejupi, i cili tha se gjatë periudhës raportuese në komunën e Podujevës gjendja e sigurisë ka qenë e qetë dhe stabile.

Komandanti i policisë e vlerësoi si shumë pozitiv faktin se gjatë vitit 2014 në territorin e Komunës së Podujevës nuk është shënuar asnjë vrasje. Ai gjithashtu tha se në bazë të statistikave në vitin e ka kaluar është shënuar shkalla më e ulët e rasteve të raportuara kriminale.

Majori Ejupi gjithashtu ka raportuar se gjatë angazhimit të zyrtarëve të Stacionit Policor të Podujevës, në mbajtjen e rendit dhe sigurisë në dy protestat e fundit në Prishtinë, janë lënduar shtatë pjesëtarë të policisë. Ai tha se për shkak të dhunës ndaj pjesëtarëve të policisë dhe pronës publike gjatë dy protestave në Prishtinë janë arrestuar disa protestues, banorë të komunës së Podujevës.

Pavarësisht të drejtës së qytetarëve që pakënaqësitë e tyre t’i shprehin përmes protestave, KKSB e cilëson të papranueshme dhunën e manifestuar në dy protestat e fundit.

KKSB gjithashtu ka shprehur shqetësim për migrimin ilegal të qytetarëve, dukuri kjo mjaft e theksuar edhe në komunën e Podujevës.

KKSB në mbledhjen e sotme ngriti grupin punues për përgatitjen e propozimit të planit të punës të KKSB për vitin 2015 si dhe grupin punues për përgatitjen e informatës për aktivitetet e KKSB-së për vitin 2014./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat