EULEX i reagon Ilir Dedës: Ne vetëm e monitoruam protestën

Lajme

EULEX i reagon Ilir Dedës: Ne vetëm e monitoruam protestën

Më: 30 janar 2015 Në ora: 14:28

Zyra për informim e EULEX-it i ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.

Deda tha të enjten se gjatë protestës së 27 Janarit, policët e këtij misioni kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Zëdhënsja e EULEX-it, Dragana Nikoliq Solomon, ka thënë për Indeksonline, se policët ndërkombëtarë të EULEX-it, kanë qenë prezentë në protestën e së martës, por vetëm si monitorues.

“Policët ndërkombëtarë të EULEX-it ishin prezent me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës edhe të shtunën edhe të martën, vetëm në kapacitet të monitorimit”, ka deklaruar Nikoliq Solomon.

Zëdhënsja e EULEXIT ka shtuar se policët ndërkombëtarë të EULEX-it asnjëherë në histori nuk janë veshur në uniforma të PK-së.

“Asnjë polic i EULEX-it nuk ka qenë në ndonjë kapacitet ekzekutiv gjatë protestës. Policët e EULEX-it vetëm i kanë asistuar kolegët e tyre të PK-së në nivelin strategjik dhe komandues, duke monitoruar dhe këshilluar”, ka thënë më tutje ajo.

Nikoliq Solomon ka rikujtuar në fund se Policët ndërkombëtarë të EULEX-it, janë në radhën e dytë, pas Policisë së Kosovës.

“Ne e përsërisim se PK-ja ishte duke udhëhequr. Ne jemi në radhën e dytë të përgjegjësisë, por nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga PK-ja dhe ne nuk e kemi gjykuar që intervenimi ynë ishte i duhur, thotë në fund ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat