Falja, si akt mëshire apo konfirmim i vendimit të Gjykatës

Lajme

Falja, si akt mëshire apo konfirmim i vendimit të Gjykatës

Më: 30 janar 2015 Në ora: 12:48

KMDLNj i është drejtuar më një letër të hepur Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Letra e plotë:

E nderuara zonja Presidente Jahjaga,

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka një përvojë të gjatë (që nga koha e para luftës) në monitorimin e qendrave ku mbahen persona të privuar nga liria (qendrat e ndalimit, qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese) si dhe institucioneve tjera për dënime alternative. Qëllimi kryesor i këtij monitorimi është të përcillet nëse në institucionet e paraburgimit dhe ato korrektuese respektohen të drejtat e personave të privuar nga liria në përputhje me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe standardeve të përcaktuara ndërkombëtare për këtë kategori të qytetarëve që përkohësisht janë privuar nga liria si dhe t’i ndihmohet Shërbimit Korrektues të Kosovës me problemet e identifikuara dhe rekomandime ta ngrejë cilësinë e punës së tyre. Ka disa kritere përcaktuese që personat e privuar nga liria duhet t’i plotësojnë nëse duan të përfitojnë falje apo ndonjë beneficion tjetër me të cilin u shkurtohet dënimi. Këto kritere përbëjnë pakon e programit të risocializimit që do të duhej të ishte parakusht për lirim të parakohshëm dhe integrim në shoqëri të personave të dënuar, pasi të jenë liruar.

E nderuara presidente Jahjaga,

Kosova, si shtet në formim e sipër nuk ka qenë shembull i mirë për risocializimin e personave të dënuar krahasuar me vendet e rajonit sepse nuk ka zbatuar në masë të duhur masat alternative të dënimit dhe se nuk i ka shpërblyer ata të dënuar që e kanë kaluar me shumë sukses programin e risocializimit (nëse mund të flitet se ka program të risocializimit fare!!) duke i falur nga Ju, presidentët e mëparshëm apo Paneli për Lirim me Kusht. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk ka pasur amnisti të përgjithshme sikur që ka ndodhur në të gjitha vendet e rajonit.

Personat e privuar nga liria në Kosovë janë të demotivuar të sillen mirë sepse shumë pak përfitojnë edhe nëse e kanë kaluar me shumë sukses risocializimin. Personat e privuar nga liria nëse janë pa përkrahje politike apo të kamur materialisht e kanë shumë të vështirë mos ta them të pamundur të përfitojnë beneficione dhe falje. Në krejt tjetër situatë është klasa VIP e të paraburgosurve apo të dënuarve.

E nderuara zonja presidente Jahjaga,

Në Kosovë, pas përfundimit të luftës ka pasur disa shpërthime të revoltës, grevë e përgjithshme apo grevë urie kur të dënuarit kanë kërkuar kushte më të mira, beneficione në përputhje me sjelljet e tyre, Ligji për Amnisti dhe Falje. Kërkesat e të dënuarve kanë qenë krejtësisht të arsyeshme dhe të drejta. Mirëpo, ndaj tyre janë përdorur masa represive sikur në shtator të vitit 2003 kur u mbytën 5 të dënuar dhe u lënduan rëndë dhe lehtë afërsisht 100 të dënuar.

KMDLNj, me kërkesën e të burgosurve ishte ndërmjetësues por ndërkombëtarët (atëherë SHKK menaxhohej nga ndërkombëtarët) shkelën marrëveshjen duke mos pasur fare arsye dhe askush deri më sot, ndonëse ishin zhvilluar hetime formale nga ndërkombëtarët askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë krim të panevojshëm ndaj një kategorie e cila në rrethanat ekzistuese duhet të ketë përkujdesje dhe mbrojtje të veçantë.

Mos gatishmëria e institucioneve shtetërore t’i trajtojë të dënuarit duke i shpërblyer me beneficione dhe të drejta që u takojnë në masë të madhe e ka vështirësuar punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës duke i devalvuar angazhimet e tyre në planin e risocializimit dhe ka krijuar, sikur që edhe tani krijon situata shpërthyese në mesin e të dënuarve kurse pasojat eventuale i bartim të gjithë ne.

Për fajësinë apo pafajësinë e personave të akuzuar vetëm gjykata kompetente në bazë të provave merr vendim për shqiptim të dënimit apo lirimit.

Për vlerësim nëse personi i dënuar ka kaluar me sukses risocializimin përgjegjës është vetëm Shërbimi Korrektues i Kosovës i cili dërgon dosjet e kompletuara dhe mund të rekomandojë një listë të gjerë apo të ngushtë.

Për falje të dënuarve përgjegjës jeni Ju, zonja presidente Jahjaga dhe Ju nuk e keni të kufizuar as numrin dhe as vitet që do t’i falni sikur që keni të drejtë të mos e falni asnjë të dënuar. Ju merrni vendim pasi kërkesat të shqyrtohen nga Komisioni Profesional anëtarë i të cilit ka qenë edhe KMDLNj dy herë (kur z. Krasniqi fali një numër të dënuarish dhe kur Ju gjithashtu falët një numër të vogël të dënuarish).

E nderuara presidente Jahjaga,

KMDLNj vlerëson se numri i atyre të dënuarve që përfitojnë beneficione dhe falje është shumë i vogël dhe kjo diskriminon ata të dënuar që kanë sjellje të mirë duke i demotivuar të dënuarit tjerë sikur që i shkakton shumë probleme Shërbimit Korrektues të Kosovës për shkak të tensioneve të vazhdueshme me të dënuarit.

E nderuara zonja presidente Jahjaga,

Askush nuk ka llogari të mbajë persona të privuar nga liria në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut mohimi i të drejtës së tyre të përfitojnë falje apo beneficione tjera nëse i plotësojnë kushtet . Askush nuk mund të besojë e sidomos organizatat që monitorojnë institucionet e mbajtjes dhe ato korrektuese se nga mbi 400 kërkesa vetëm 3 ose 4 meritojnë të falen . Kjo është në kundërshtim të plotë edhe me LPSP dhe përpjekjet për risocializim dhe integrim . Qëllimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk është vazhdimi i dënimit të shqiptuar nga gjykatat përkatëse por risocializimi dhe kthimi i personave të dënuar në shoqëri , tash të dekriminalizuar . Prandaj, kontributi i Juaj për këtë përpjekje është shumë i rëndësishëm , si autoritet suprem shtetëror dhe në bazë të përgjegjësive që ua jep ligji! Shteti hakmerret me shqiptimin e dënimit por shteti demonstron edhe aktin e mëshirës përmes faljes ! Të gjithë të dënuarit kanë të drejtë të falen, nëse i plotësojnë kushtet ndërsa në burgjet e Kosovës ka shumë më tepër të burgosur që meritojnë të falen nga Ju ose që meritojnë beneficione të tjera krahasuar me shifrat zyrtare. Shpresoj dhe dëshiroj që këtë shqetësim të KMDLNj –së do ta merrni shumë seriozisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat