KIPRED “Marrëdhëniet Ndëretnike në Ballkanin Perëndimor”

Lajme

KIPRED “Marrëdhëniet Ndëretnike në Ballkanin Perëndimor”

Nga: Valbona Mazreku Më: 30 janar 2015 Në ora: 12:24

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka publikuar raportin “Marrëdhëniet Ndëretnike në Ballkanin Perëndimor”. Ky raport nxjerrë këto përfundime:

Shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë ka lënë trashëgimi mosbesime dhe armiqësi të thella midis etnive shumicë dhe pakicë në shtetet e reja që u shfaqën nga ajo. Përjashtim nga kjo rregull është Shqipëria, ku marrëdhëniet ndëretnike midis shumicës shqiptare dhe minoriteteve greke, maqedonase dhe të tjera, janë relativisht të mira.

Një çështje rënduese në të gjitha vendet e rajonit, pos Malit të Zi, janë mospajtimet rreth numrit të pjesëtarëve të komuniteteve minoritare që banojnë brenda këtyre shteteve. Një tipar shtesë i minoriteteve etnike është ai i kombësisë së padeklaruar në regjistrimet kombëtare. Po ashtu, këto shtete, me përjashtim të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kanë kaluar nëpër ndryshime dramatike të përbërjes së strukturës së tyre etnike për shkak të luftërave dhe mizorive që janë shoqëruar me probleme të njerëzve që janë shndërruar në refugjatë dhe në të zhvendosur të brendshëm.

Pos kësaj, rrëfimet për pozitat e komuniteteve të minoriteteve etnike në shtetet e rajonit, pos në Shqipëri dhe Kroaci, deri në një masë janë ende të hapura. Kroatët dhe, posaçërisht, serbët, në Bosnje e Hercegovinë kanë ende ambicie separatiste, pavarësisht nga statusi i tyre i barabartë me boshnjakët dhe natyra federale e këtij shteti. Në Kosovë, komuniteti serb kërkon autonomi më të fuqishme territoriale, ndërkohë që ata që jetojnë në veriun e vendit janë tejet të prirur ndaj separatizmit dhe njësimit me Serbinë. Shqiptarët në Maqedoni janë të pakënaqur me pozitën e tyre, dhe janë duke kërkuar më tepër të drejta në nivelin kombëtar. Situata është pak a shumë e njëjtë me minoritetin etnik serb në Mal të Zi. Në Serbi, edhe boshnjakët në Sanxhak, edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës janë duke kërkuar autonomi territoriale dhe janë të prirur ndaj separatizmit dhe njësimit me Bosnjën e Hercegovinën, përkatësisht Kosovën.

Marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërshtetërore në dhe midis vendeve të veçanta të Ballkanit Perëndimor janë përbërës të po të njëjtit ekuacion. Përmirësimet apo përkeqësimet e marrëdhënieve midis vendeve të veçanta të Ballkanit Perëndimor e kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndëretnike brenda këtyre shteteve. Pavarësisht nga marrëdhëniet e përmirësuara, mosbesimi ende mbizotëron në marrëdhëniet bilaterale midis vendeve fqinje në Ballkanin Perëndimor, kryesisht për shkak të frikës së shfrytëzimit të minoriteteve etnike nga vendet e tjera fqinje për qëllime separatiste apo destabilizuese.

Rekomandime:

1. Qeveria e Kosovës duhet t’ia kushtojë vëmendjen e duhur situatës së marrëdhënieve ndëretnike në vendet fqinje dhe në Bosnje e Hercegovinë. Për këtë qëllim, në kuadrin e Drejtorisë për Çështjet Rajonale të Ministrisë së Punëve të Jashtme duhet themeluar task-forcën për këtë çështje ashtu që kjo të ndiqet në mënyrë sistematike.

2. Të gjitha vendet në rajon, dhe posaçërisht Serbia në raport me Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, si dhe Kosova në raport me Luginën e Preshevës, duhet ta qartësojnë që ndryshimet e kufijve janë të papranueshëm.

3. UE-ja së bashku me OSBE-në dhe Këshillin e Evropës duhet ta ushtrojnë një trysni të posaçme në të gjitha vendet e rajonit për të organizuar regjistrime kredible, ashtu që t’i zgjidhin grindjet mbizotëruese rreth numrit të pjesëtarëve të komuniteteve etnike minoritare.

4. Unioni Evropian, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës duhet ta fuqizojnë qasjen rajonale ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore. Vëmendje e veçantë duhet t’i jepet Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës që janë lënë anash fushës së marrëdhënieve ndërshtetërore midis Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, përkatësisht Serbisë dhe Kosovës.
5. OSBE-ja duhet ta merr parasysh mundësinë e hapjes së zyrave në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës ashtu që t’i përcjellë nga afër këto dy zona që praktikisht janë lënë pa mbrojtje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat