Skandal: Parashkruhen veprat e korrupsionit, lirohen pesë të akuzuarit për ryshfet e falsifikim

Lajme

Skandal: Parashkruhen veprat e korrupsionit, lirohen pesë të akuzuarit për ryshfet e falsifikim

Më: 30 janar 2015 Në ora: 11:14

Vetëm njërin nga ish-zyrtarët e ish-Fakultetit të Biznesit në Pejë është dënuar me kusht, ndërsa katër të tjerët janë liruar. I pafajshëm është shpallur edhe një ish-student i këtij fakulteti.
Trupi gjykues me Sylë Lokajn kryetar dhe Sami Sharraxhiun e Sejdi Blakajn anëtarë, të mërkurën dënoi me kusht Valdet Hoxhën, shefin e referentëve të këtij universiteti në periudhën 2006-2008.

Por ky trup gjykues shpalli të pafajshëm pesë të akuzuarit tjerë, mes tyre edhe ish-dekanin Ali Sylqa dhe ish-sekretarin Minush Hoxha, shkruan Kallxo.com

Përveç këtyre treve, të akuzuar ishin edhe Miradije Gjikolli ish-arkiviste, Zekije Vokshi që kryente detyrën e referentes dhe studenti i atëhershëm Blerim Zeka.

Në këtë periudhë Shkolla e Lartë Pedagogjike ishte shndërruar në Fakultet të Biznesit, ndërsa ish-dekani dhe ish-sekretari së bashku me të akuzuarit tjerë kishin falsifikuar dokumente duke i vërtetuar ato me vulë zyrtare, si dhe kishin pranuar studentë jashtë konkursit.

Ata në fillim akuzoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, mirëpo për shkak të zvarritjeve të procedurave disa nga veprat penale me të cilat këta gjashtë persona ngarkoheshin, ishin vjetërsuar.

Vjetërsimi kishte shtyrë prokuroren Saide Gashi që në njërën nga seancat e shumta lidhur me këtë rast ta rikualifikojë veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit, duke i ngarkuar tash të akuzuarit sipas paragrafit tetë të nenit 339, ndërsa më parë i ndiqte ata për këtë vepër sipas paragrafit 2 të njëjtit nen.

Në paragrafin 8 të nenit 339 shpërdorimi i detyrës dënohet me tetë vjet burg, ndërsa sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, për këtë vepër penale parashihet dënim deri në tre vjet.

Një lëndë për ndonjë vepër të caktuar prenale vjetrohet kur ta kalojë dyfishin e kohës së dënimit të paraparë për atë vepër penale.

Gëzim Kollçaku, avokati i Zekije Vokshit tha për KALLXO.com se e kishte pritur këtë epilog të gjykimit.

“Që nga fillimi i kësaj procedure penale kemi besuar fuqishëm që gjykata do te sjellë aktgjykim lirues, çka edhe ndodhi sot. E mbrojtura ime Zekije Vokshi është akuzuar për disa veprime të cilat janë parashkruar, e gjithashtu për disa veprime për të cilat në atë kohë e njëjta ka qenë ne pension,“ sqaroi Kollçaku.

Ai u ndie i lehtësuar që gjykimi përfundoi.

“Mirëpo më gëzon fakti që pas një procesi maratonik më në fund drejtësia triumfoi,“ tha Kollçaku.

Ky proces gjyqësor zgjati tri vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat