Policia e rrah nxënësin me pretendim se ishte protestues (Video)

Lajme

Policia e rrah nxënësin me pretendim se ishte protestues (Video)

Më: 29 janar 2015 Në ora: 20:48

I lënduar nga protesta e së martës ka mbetur një 17 vjeçar pa qenë fare pjesë e protestës së dhunshme. Ai dhe drejtori i shkollës po thonë se i riu u rrah menjëherë pasi doli nga mësimi.
Ka dy ditë që Granit Alshiqi po çalon me këmbën e majtë, ku morri goditje në këtë gjymtyrë dhe pjesë të tjera të martën nga policia kur në Prishtinë u protestua para Qeverisë së Kosovës.
17 vjeçari thotë se ai nuk ishte protestues, por u ndalua nga organet e rendit, tek Katër Llullat, derisa po kthehej nga shkolla Sami Frashëri për në shtëpi, raporton KlanKosova.
“As që kam qenë biles duke shkuar në protestë, por duke shku n’shtëpi. Më ka kap polici dhe ia qita duart mbrapa se e dita që ka me m’lidhë. Nuk ka dashtë me m’lidhë. Kanë ardhë edhe katër policë të tjerë policë, dhe më kanë rrëzuar përtokë. Ma kanë marrë çantën duke menduar se kam gurë, dhe më kanë arrestuar”.
Djaloshi thotë se ka problem me zemrën që nga lindja, por që sipas tij ky fakt nuk e kurseu nga grushtat e shqelmat e policisë.
“Jam sëmurë nga zemra, jam me terapi. Ju kam kallu që duhet të shkoj t’i pi barnat, disa mjek aty vetëm bënin hajgare. Ma matnin tensionin, thoshin ‘mirë je’”.
Problemet e tij shëndetësore dhe prezencën e tij në orën e mësimit i konfirmon u.d. i shkollës Sami Frashëri, Ilmi Reçica.
“Babai i Granitit ka kërkuar që Graniti të lirohet nga dera kryesore, sepse ka probleme shëndetësore, probleme me zemër”.
“Mendoj se dhuna ndaj fëmijëve të pafajshëm, duhet të dënohet”, tha Reçica.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat