Kuçi, avokatëve: Jepni kontribut në rishikimin e sektorit të drejtësisë

Lajme

Kuçi, avokatëve: Jepni kontribut në rishikimin e sektorit të drejtësisë

Më: 29 janar 2015 Në ora: 16:01

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna, si dhe drejtorin ekzekutiv të kësaj Ode, Yll Zekaj.

Gjatë këtij takimi, Kuçi ka theksuar që do të kërkojë llogaridhënie dhe efikasitet të shtuar nga gjyqtarët dhe prokurorët meqë, sipas tij, “ambienti i punës së institucioneve të drejtësisë është përmirësuar dukshëm dhe pozita e gjyqtarëve dhe prokurorëve është fuqizuar”.

Ministri Kuçi ka vlerësuar që avokatët kanë përgjegjësi po aq sa gjyqtarët dhe prokurorët në funksionimin sa më të mirë të sistemit të drejtësisë.

Kuçi theksoi se gjatë këtij mandati planifikon që të iniciojë një vlerësim gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë, “për të shpalosur arritjet dhe ngecjet e deritanishme, si dhe për të shërbyer si udhëzues i veprimeve në vijim”. Ai ka kërkuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës që ta japin kontributin e tyre objektiv gjatë këtij procesi të rëndësishëm të rishikimit të sektorit të drejtësisë në vend.

Kuçi dhe përfaqësuesit e Odës së Avokatëve të Kosovës kanë folur edhe për marrëdhëniet mes Odës së Avokatëve dhe Odës së Noterëve të Kosovës. Ai ka shpalosur nevojën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Noterinë.

“Përveç nevojës për qartësimin e fushave të përgjegjësisë së noterëve, është folur edhe për nevojën e ngritjes së numrit të noterëve dhe, si rezultat, ngritjen e konkurrencës dhe kualitetit të shërbimeve në favor të qytetarëve”, thuhet në një kumtesë të Ministrisë së Drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat