Opozita merret vesh për vazhdimin e protestave

Lajme

Opozita merret vesh për vazhdimin e protestave

Më: 28 janar 2015 Në ora: 19:44

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ka mbajtur një takim në një kafene të kryeqytetit, ku edhe janë pajtuar që të vazhdojnë protestën deri në realizimin e kërkesave: rikthimin e projektligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës dhe shkarkimin e ministrit Jabllanovic.
Kreu i AAK'së, Ramush Haradinaj tha se opozita është e gatshme të bashkërendojë veprimet, ndër to edhe protestën.

"Kemi biseduar lidhur me kërkesat e drejta të protestës dhe gatishmërinë tonë që të vazhdojmë me protesta. I ftojmë prej sot qytetarët që t'i bashkohen protestës. Shprehim gatishmërinë që të mos lejohet përdorimi i dhunës", ka thënë me këtë rast Haradinaj, në një deklaratë që e ka transmetuar Rrokum TV.

Ndërkaq lideri i VV'së, Albin Kurti tha se edhe AAK edhe NISMA, do ta përkrahin protestën e ardshme.

"U konfirmua që edhe AAK edhe Nisma për Kosovën do të jenë në protestën e ardhshme. për datën e mbajtjes të së cilës do të ju tregojmë nesër. Ne nuk kemi kurfarë faji për dhunën e cila u nis nga intervenimi brutal e mizor i Policisë", ka thënë Kurti.

Edhe Bilall Sherifi nga NISMA për Kosovën, tha se janë pajtuar të vazhdojnë bashkëpunimin si opozitë. Ai tha se dhuna në dy protestat e kaluara, ka qenë skenarë i Qeverisë.

"Mendoj që protestuesit asnjëherë nuk kanë dhënë shkas për eskalim të dhunës. Dhuna ka qenë skenar nga qeveria", ka thënë Sherifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat