KMDLNJ: Përshkallëzim i panevojshëm i protestave paqësore!

Lajme

KMDLNJ: Përshkallëzim i panevojshëm i protestave paqësore!

Më: 28 janar 2015 Në ora: 14:14

Më 27 janar 2015 në Prishtinë është mbajtur protesta e organizuar nga VV –sje dhe përkrahur nga subjektet opozitare AAK-ë si dhe NISMA për Kosovën.

Kjo protestë ishte organizuar nga VV – sje e cila ishte mobilizuar , si për masovizimin e protestës ashtu edhe për mbarëvajtjen e saj duke angazhuar një numër të madh kujdestarësh që formonin tre kordone midis protestuesve dhe barrikadave që i kishin vendosur Policia e Kosovës në përpjekje të krijohet një hapësirë midis protestuesve, policisë dhe objekteve institucionale. Protesta ishte paralajmëruar si e qetë nga organizatorët mirëpo kjo protestë nuk ishte paraqitur fare në Polici dhe nuk ishte kërkuar leje për mbajtjen e saj nga organiozatori.

KMDLNJ ka kërkuar informatë në Polici nëse është kërkuar leje nga organizatori dhe ka marrë përgjigjje negative . Organizatori i protestes është mobilizuar që në protestë të marrin pjesë sa më shumë protestues duke shfrytëzuar rrjetet sociale , duke dëeguar sms në telefon celularë dhe duke shpërndarë ftesa në letër nëpër sheshet e Prishtinës si dhe nëpër shkolla (fillore dhe të mesme ).

Monitorues të KMDLNJ-së e kanë monitoruar tërë protestën që nga fillimi ( ora 11:30 deri në përfundim të saj ora 18:30).Gjatë punës së tyre monitoruesit e KMDLNJ –së nuk janë penguar as nga Policia e Kosovës , as nga organizatorët e protestës e as nga protestuesit sepse kanë pasuar shenja identifikuese.

Vlerësimi për numrin dhe strukturën e protestuesve :

KMDLNJ vlerson se në protestë mund të kenë qenë deri në 15.000 protestues dhe se numri i tyre do të ishte më i madh nëse nuk do të pengoheshin nga policia gjatë ardhjes së tyre e në disa raste ishte pamundësuar ardhje e protestuesve .Në mesin e protestuesve kishte shumë të rinjë ( një numër i madh ishin nxënës të shkollave të mesme që kishin lëshuar orët e mësimit), studentë por edhe të moshuar . Në protestë ishte dominante gjinia mashkullore.

VV –sja ishte 100 % e pranishme duke filluar nga aktivistët e bazës deri te drejtuesit e saj. Në protestë ka pasur edhe disa persona të maskuar (KMDLNJ ka regjistruar 3 raste) por edhe policë me veshje civile.

Edhe numri i policëve ka qenë i madh por ata fillimisht (sidomos njësitë speciale ) kanë qenë të vendosur brenda objekteve apo në vende më pak të dukshme. Policët kanë ardhur nga të gjitha qytetet e Kosovës.

Vlerësimi për protestën : Protesta ishte paralajmëruar dhe kishte filluar si protestë paqësore ndërsa kishte eskaluar dhe kishte përfunduar si protestë e dhunshme.

Protesta kishte filluar të eskalonte në momentin kur organizatori i dha ultimatum Policisë së Kosovës që brenda 15 minutave t’i heq barrikadat e vendosura.

Paraprakisht policia e kishte marrë kamionetën të cilën organizatori e përdorte për barjtjen e pajisjeve të zërimit si dhe foltore për ata që i drejtoheshin protestuesve gjë që e ka ndihmuar në përshkallëzimin e situatës. VV-je rregullisht, që nga koha e UNMIK-ut ka përdorur këtë foltore lëvizëse dhe vlerësimi i KMDLNj-së është se nuk ka pasur nevojë t’u mirret ky kamionet. Pastaj, pasi protesta nuk ka qenë e paraqitur në polici, Policia e Kosovës, ose është dashur të mos lejojë fare këtë protestë, ose është dashur të lejojë përfundimin e saj duke lejuar që drejtuesit e VV (Visar Ymeri dhe Albin Kurti) të mbajnë fjalimin e tyre.

Protestuesit kanë pasur hapësirë të mjaftueshme të protestojnë sikur që edhe Policia e Kosovës ka pasur hapësirë të mjaftueshme t’i sigurojë objektet dhe barrikada nuk do të duhej të paraqiste problem për mbarvajtjen e protestës si dhe nuk do të duhej të shërbente apo përdorej për eskalimin e situatës.

Policia e Kosovës ndaj protestuesve ka përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës që sipas KMDLNj-së asnjëherë nuk është përdorur më parë në Kosovë në këso sasi.

Policia e Kosovës ka përdorur kundër protestuesve edhe plumba gome si dhe automjete me topa uji. Në fazën e mëvonshme ka vënë në përdorim edhe mjetet e blinduara që përdoren për shpërndarjen e turmës. Policia e Kosovës ka përdorur edhe shkopinjët e gomës si dhe ka shqelmuar protestuesit. KMDLNj ka identifikuar dy raste kur policia shkel të drejtat e personave të privuara nga liria duke përdorur forcë ndaj të arrestuarve edhe pas prangosjes (neutralizimit) së protestuesit i cili nuk pa paraqitur më rrezik. Vlerësimi i KMDLNj-së është se Policia e Kosovës ka bërë përpjekje maksimale për mos përdorim të dhunës.

Protestuesit kanë qenë shumë agresiv ndaj policisë duke hedhur ndaj tyre çdo gjë që u ka rënë në duar. Edhe nga largësia por edhe nga distanca prej 1 ose 2 metra. Në drejtim të policisë janë hedhur kubëza guri, pjesë metalike, shkopinj, copë mermeri i thyer nga anësoret, karrige (ku ka pasur mundësi), gurë të shumtë, kanë vendosur barrikada me kontejnerë dhe gjësende që janë marrë nga lokalet e afërta (kryesisht karriget dhe çadrat nga kafiteritë), shportat e mbeturinave, kunj metalikë të trotuareve dhe gjësende të tjera të forta. Sidomos nga kubëzat e gurit dhe gurëve me peshë të rëndë janë lënduar shumë policë (kryesisht me lëndime në kokë apo i kanë të lënduar këmbët) .

Gjatë protestës ka funksionuar jashtëzakonisht mirë Shtabi për Emergjencë i QKUK-së që ka ofruar ndihmë mjekësore në qytet përmes autoambulancave, pa bërë dallime nëse janë policë apo protestues të lënduar. Edhe gazetarët kanë bërë punë të mirë dhe KMDLNj nuk ka vërejtur se ndaj tyre ka pasur kufizime nga ana e Policisë apo protestuesve.

Me të përfunduar protesta, rruga Nëna Terezë dhe rrugët anësore ka qenë e mbuluar me gurë, gjësende të forta, pjesë të plumbave të gomës, pjesë të mbushjeve të gazit lotsjellës, xhama të thyer, pjesë të drunjve, shkopinj etj. që i ngjante në vendshesh lufte!

KMDLNj ka vizikuar dhe intervistuar 5 të arrestuar (nga 19 që mbahen në Qendër për Mbajtje në Prishtinë) dhe katër nga 5 të arrestuar i kanë deklaruar KMDLNj-së se janë rrahur edhe pas prangosjes si dhe gjatë qëndrimit si të arrestuar në Qendër të Mbajtjes. Në mesin e tyre që është rrahur nga disa policë është S.Z.

Nga të intervituarit ishte një i moshuar 68 vjeçar me inicialet I.Gj i cili i deklaroi KMDLNj-së për dhunën e ushtruar ndaj tij gjatë arrestimit. Ai pohoi se është sulmuar disa herë me shufër në kokë pas prangosjes e për të cilat kishte raporte mjekësore. Gjithashtu, ai ishte sulmuar edhe në të gjitha pjesët tjera të trupit.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e vlerëson protestën si të dhunshme dhe e vetmja gjë pozitive është se nuk ka pasur viktima në njerëz. As në radhët e protestuesve e as në radhët e Policisë së Kosovës.

Për KMDLNj është shqetësues fakti se në këtë përballje të dhunshme të rinjtë (kryesisht nxënës të shkollave të mesme) kanë qenë të përfshirë në masë të madhe. Për këtë arsye kërkon përgjegjësi për përgjegjësit e atyre shkollave që kanë lejuar ndërpjerjen e mësimit dhe drejtorinë përkatëse të arsimit në nivel komunal dhe në nivele më të larta.
KMDLNj është jashtëzakonisht i shqetësuar për rastet ku është përdorur dhunë fizike, psikike dhe denigrim i personalitetit të personave të arrestuar pasi janë prangosur apo gjatë qëndrimit në Qendrën e Mbajtjes dhe kërkon fillimin e hetimeve të këtyre rasteve si dhe ndërmarrjen e masave përkatëse për ata policë që i tejkaluan autorizimet zyrtare sepse kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.

KMDLNj kërkon hetime të menjëhershme për ata protestues që kanë hedhur gjësende të rënda në drejtim të Policisë së Kosovës duke u shkaktuar lëndime të rënda dhe rrezikshmëri për jetën si dhe për nxitësit e dhunës, pavarësisht cilës palë i takojnë. Ka shumë inçizime, filmime, deklarata, paraqitje publike dhe fakte të tjera që ndihmojnë në identifikimin e atyre që kontribuan në përshkallëzimin e situatës, lëndimet e protestuesve dhe policëve sikur edhe shkatërrimin e pronës publike dhe asaj private.

KMDLNj përkrah çdo protestë paqësore si e drejtë elementare e njeriut për shprehje të vullnetit, fjalës së lirë apo kundërshtimit të problemeve me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës (që nga përfundimi i luftës e deri më sot) siç janë: korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, varfërimi i skajshëm i popullatës, papunësia ekstreme që ua merr shpresën për një ardhmëri normale pjesës dërmuese të rinjëve të Kosovës, pasiguria ekonomike, sociale dhe politike, mungesa e transparencës për marrjen e vendimeve të rëndësishme për të tashmën e sidomos për të ardhmën e Kosovës sikur që është fuqishëm kundër manipulimit të masave të pakënaqura për qëllime politike apo keqpërdorimi të Policisë së Kosovës, gjithashtu për qëllime politike. Protesta e 27 janarit 2015 ka qenë e dhunshme dhe përmban elemente të keqpërdorimit dhe të protestuesve për qëllime politike por edhe të policisë për qëllime politike. Prandaj dhe nuk ishte paqësore por e dhunshme!, thotë KMDLNJ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat