KDI: Asamblistët e Suharekës nuk propozuan asnjë Rregullore

Lajme

KDI: Asamblistët e Suharekës nuk propozuan asnjë Rregullore

Më: 27 janar 2015 Në ora: 19:32

Është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca duke shënuar 11 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin” i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 31 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Suharekës dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Korrik-Dhjetor 2014.

Qëllimi i publikimit është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave në këtë periudhë, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

Gjatë kësaj periudhe, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Suharekës janë: Alush Shala (PDK) me 18.9 %, Leonard Shala (LVV) me 17.5 %, Nadire Hoxha (AAK) me 8.5 % dhe Bajram Tershani me 8.0 % të vlerësimit të përgjithshëm ndërsa Behare Sopa (PDK) nuk ka treguar asnjë rezultate në të gjitha kategoritë është vlerësuar me 0.0 % dhe Albana Ndreca (pavarur) nuk ka nuk ka treguar asnjë rezultat dhe ka munguar në njërën nga seancat e mbajtura në këtë periudhe duke treguar rezultat tejet të dobët me - 0.1 % të notimit të përgjithshëm.

Gjatë seancave të mbajtura në periudhën Korrik-Dhjetor 2014, nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës janë ngritur gjithsej 101 çështje, prej të cilave 63 % nga fushat me interes për qytetarët e Suharekës ndërkaq 37 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Suharekës. Nga të dhëna del se anëtarët e AAK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 32.7 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së me 23.8 % të çështjeve të iniciuara. Leonard Shala (LVV) gjatë kësaj periudhe ka shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me gjithsej 21.8 %, i përcjellë nga Alush Shala (PDK) dhe Nadire Hoxha (AAK) me nga 13.9 % përkatësisht 11.9 % të çështjeve të ngritura.

Në këtë periudhë, nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës janë propozuar gjithsej 69 amendamente. Nga këto, PDK me 33.3 %, AAK me 26.1 % dhe LVV me 23.2 % të amendamenteve. Anëtarët më aktiv në propozimin e amendamenteve në seancat e mbajtura kanë qenë: Alush Shala (PDK) me 29.9 %, Besim Kuçi (AAK) me 20.3 % dhe Zana Basha (LVV) me 17.4 % të propozimeve të përgjithshme për amendamentim.
Në Kuvendin e Komunës së Suharekës gjatë periudhës Korrik-Dhjetor 2014 ky institucion ka shqyrtuar dhe miratuar: Rregulloren për transparencë, Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme dhe Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores 01-Nr-16-540 për ndarjen e bursave për nxënës dhe student të Komunës së Suharekës. Krahas kësaj, asnjë nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës nuk kanë propozuar rregullore për miratim pranë këtij institucioni.

Anëtarët e PDK-së në Kuvendin e Komunës së Suharekës prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me gjithsej 37.5 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e LVV-së me gjithsej 30.0 % të pyetjeve të përgjithshme. Anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Suharekës janë Leonard Shala (LVV) e Alush Shala (PDK) me nga 27.5 % dhe Nadire Hoxha (AAK) me 10.0 % të pyetjeve të përgjithshme.

Gjatë kësaj periudhe është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca duke shënuar 11 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni.

Fletënotimi për periudhën Korrik-Dhjetor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat