VV: Kronologjia e ngjarjeve në protestën e sotme deri në orën 16:30

Lajme

VV: Kronologjia e ngjarjeve në protestën e sotme deri në orën 16:30

Më: 27 janar 2015 Në ora: 17:16

12:03 – Presioni i pushtetit nuk pati efekt. Tashmë mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar kundër Jabllanoviqit dhe për mbrojtjen e “Trepçës”.

12:17 – Përkundër që Policia nuk na la ta vendosim zërimin dhe e konfiskoi kamionetën, qytetarët siguruan një kamionetë dhe zorim tjetër, e cila tani gjendet në shesh.

12:28 – Policia e Kosovës ka rrethuar ndërtesën e Qeverisë thua se ne jemi egërsira, por ne jemi qytetarë… I japin afat Policisë që për 15 minuta t’i largojë rrethojat dhe të futet brenda grilave të Qeverisë, sepse protesta është paqësore. Policia e ka rrethuar edhe “Skënderbeun” me grila, por ne nuk jemi kundër “Skënderbeut”, ne jemi kundër kësaj qeverie e cila i konsideron qytetarët e saj si egërsira. (Dardan Molliqaj)

12:31 – Pas ultimatumit që Dardan Molliqaj i dha Policisë për t’i hequr barrikadat Njësia Speciale u vendosë në barrikada.

12:35 – Nuk jemi egërsira që të rrethohemi me hekura, por jemi qytetarë të Republikës dhe do të protestojmë paqësisht (Dardan Molliqaj)

12:39 – Derisa po mbahen fjalimet sipas skenarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! një komandant i Policisë po i provokon protestuesit. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve. Njëkohësisht i bëjmë thirrje Policisë që t’i largojë barrikadat.

12:43 – Policia filloi sulmin ndaj qytetarëve.

12:45 – Forca të mëdha të Njësisë Speciale po dalin nga ndërtesa e Qeverisë. Ata po provokojnë dhe sulmojnë protestuesit paqësor. Policia po hedh gaz lotësjellës. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! po bëjnë thirrje që të mos gjuhet me gurë përkundër sulmit policor. Vazhdon thirrja e mijëra protestuesve “Hiqni barrikadat”

12:52 – Përveç sprejit, gazit lotësjellës dhe rrahjes së aktivistëve, Policia filloi edhe arrestimin e protestuesve.

12:58 – Policia po përgatitet që të vendosë barrikada të reja.

13:08 – Policia e Kosovës ka vënë barrikadat te Teatri Kombëtar.

13:30 – Policia duke hedhur gaz lotsjellës po largon protestuesit nga sheshi “Skënderbeu”. Ka edhe të lënduar, ndër ta edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, i cili është marrë nga autoambulanca.

13:31 – Tashmë kanë filluar edhe arrestimet. Arrestohet aktivisti Ali Krasniqi.

13:32 – Edhe përkundër intervenimit të dhunshëm nga Policia e Kosovës, edhe përkundër arrestimeve, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh.

13:58 – Policia po intervenon me bombola të ujit.

14:02 – Para Teatrit Kombëtar po intervenohet dhunshëm nga Policia duke lënduar shumë protestues.

14:12 – Policia po tërhiqet drejt ndërtesave të Qeverisë, ndërkohë që protestuesit po shkojnë drejt sheshit “Skënderbeu”.

14:14 – Edhe përkundër dhunës së shfrenuar të pushtetit, nëpërmes Policisë së Kosovës, protestuesit po vazhdojnë shprehjen e pakënaqësisë.

14:39 – Protestuesit po fillojnë të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti”.

14:48 – Policia e Kosovës tani ka sjellë edhe dy autoblinda në shesh. Edhe për kundër kësaj masa e protestuesve vetëm po rritet.

14:55 – Arrestimet vazhdojnë. Ndër të arrestuarit, të konfirmuar deri më tani, janë Ali Krasniqi, Florim Musliu dhe Avni Ramadani. Edhe përkundër kësaj dhune të shfrenuar, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh.

15:04 – Në mesin e të arrestuarve është edhe Shpend Ahmeti.

15:05 – Të arrestuarit e konfirmuar deri më tani janë: Adem Megjuani, Ali Krasniqi, Arbër Hamidi, Avni Ramadani, Egzon Azemi, Florim Musliu, Ismail Gjigoli, Margarita Hajrizi, Ngadhënjim Haxhosaj, Nol Nushi, Premton Ibërdemaj, Salih Zyba, Shpend Ahmeti.
i.

15:07 – Policia e Kosovës ka bllokuar të gjitha hyrje-daljet e sheshit.

15:12 – Policia e Kosovës po gjuan me plumba gome.

15:28 – Të lënduar rëndë janë aktivistët Nol Nushi dhe Ngadhënjim Haxhosaj.

15:40 – Edhe përkundër dhunës së shfrenuar të pushtetit, numri i protestuesve vetëm po rritet.

15:42 – Policia e Kosovës po përdor dhunë të madhe gjatë dhe pas arrestimit të protestuesve. Por, edhe përkundër kësaj dhune të shfrenuar të pushtetit, numri i protestuesve vetëm po rritet.

15:50 – Dhuna policore mbi protestuesit po vazhdon edhe në rrugën “George Bush” pranë katedrales.

15:52 – Aktivistët e plagosur Nol Nushi dhe Ngadhënjim Haxhosaj po mbahen në stacionin policor dhe nuk po dërgohen për mjekim.

16:25 – Aktivistit Fatmir Fetahu ia kanë thyer brinjët.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat