Demaçi: Po protestohet për karrige

Lajme

Demaçi: Po protestohet për karrige

Më: 26 janar 2015 Në ora: 19:33

Adem Demaçi, protestat e organizuara nga opozita për shkarkimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviq dhe për “Trepçën”, i ka quajtur si ‘luftë’ për karrige e jo për Kosovën. Ndërsa sa i përket shkarkimit të ministrit serb, ai ka thënë se “nuk i ka fajet Jabllanoviqi, por sistemi”.

Demaçi ka thënë se këto protesta janë duke u shfrytëzuar nga partitë politike për ta realizuar agjendën tyre dhe jo për popullin.

“ Këta po protestojnë me ia marr njëri- tjetrit karriget. Ato janë protesta për karrige, nuk po bëhen protesta për Kosovën. Janë politizuar, këtu është qëllimi, me i largu këta e me ardh ata që po protestojnë”, ka thënë Demaçi për Gazetën Tribuna.

Sipas Demaçit, ajo që po kërkojnë partitë opozitare është e palogjikshme. Ai ka vlerësuar se është duke u shfrytëzuar mos rritja e pagave, që sipas tij, nuk mund të bëhet për një muaj.

“Këta po mendojnë se pasi kjo qeveri nuk arriti t’i rrit pagat 25 për qind dhe nuk arriti t’i plotësojë ato kushte e kërkesa, duhet të protestohet. Këto s’mund të kryhen për një ditë e tash po e shfrytëzojnë pakënaqësinë e popullit edhe çka të bëjmë hajde po protestojë e po jep dorëheqje Qeveria”.

Demaçi ka folur edhe për kërkesën e protestueseve që të shkarkohet ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksander Jabllanoviqi. Ai ka thënë se nuk i ka fajet Jabllanoviqi, por sistemi.

“Duhet të ndërrohet sistemi. Jabllanoviqi është e metë e sistemit që e kemi krijuar dhe e kemi lejuar me na hy brenda, e të na e marrë një të katërtën e territorit, duke na i dërguar njerëzit nga atje (Serbia). Këtë sistem duhet ndryshuar e jo Jabllanoviqin”.

Ndërsa thyerjet e xhamave të ndërtesës së Qeverisë gjatë protestë së shtunes, i ka quajtur vandalizëm dhe punë që nuk çon askund.

“Atë s’e bën askush. Duhet të bëhen demonstrata paqësore. Nuk shkon ashtu me thy pasurinë e njerëzve që e bëjnë me mund. Kështu nuk fiton asgjë. Me vandalizma e me thyerje nuk bëhet politika”, ka thënë Demaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat