Krasniqi: Të protestojmë me kulturë e dinjitet!

Lajme

Krasniqi: Të protestojmë me kulturë e dinjitet!

Më: 26 janar 2015 Në ora: 19:25

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, iu ka drejtuar qytetarëve nëpërmjet një shkrimi, duke bërë thirrje për protestë të qetë dhe dinjitoze.

"Po ju drejtohem atyre që do të shprehin revoltën e tyre në protestën e paraparë për nesër në ora 12.00
Prona e institucioneve të Kosovës është pronë e qytetarëve të saj dhe çdo dëmtim i kësaj prone është dëmtim i interesave të të gjithë qytetarëve te Republikës.

Ju garantojmë se përmes shkatërrimeve materiale që u bëhen objekteve të institucioneve të Kosovës nuk dëmtohen ata që janë ulur në këto institucione. Qeveritarëve të kësaj sorte që i kemi ne, nuk u dhimbset thyerja e xhamave dhe dëmet në fasadën e ndërtesës së qeverisë. Përkundrazi, të njohur për TENDEROMANINË ata do tu gëzohen dëmeve të tilla sepse parashohin përfitime në kurriz të popullit.

Prandaj, duke i njohur mirë udhëheqësit e shtetit të Kosovës, nuk e përjashtojmë mundësinë që në mesin e atyre që kishin sjellje vandale gjatë protestave të jenë të dërguarit e qeverisë me qëllim të zhvendosin vëmendjen nga problemet reale që i shtyn qytetarët e Kosovës të protestojnë në pseudo probleme të kurdisura nga pushtetarët.
Populli i Kosovës do të protestojë me dinjitet edhe pse i është nëpërkëmbur dinjiteti! U bëj apel qeveritarëve të Kosovës të mos dërgojnë vandalët për t’i dhënë karakter tjetër protestës!

Të nderuar qytetarë,

Ejani që te Protestojmë me kulturë e dinjitet!", thuhet në shkrimin e Jakup Krasniqit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat