Mustafa për fuqizimin e bashkëpunimit me Shqipërinë

Lajme

Mustafa për fuqizimin e bashkëpunimit me Shqipërinë

Më: 26 janar 2015 Në ora: 16:30

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa priti në takim ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Shqipërinë.

Mustafa theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë çdo ditë, çdo orë, në shërbim të rritjes të shkëmbimeve dhe marrëdhënieve ekonomike si dhe në shumë fusha të tjera të jetës.

Kryeministri i Kosovës veçoi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit, në fushën e energjisë si dhe në fusha të tjera të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka uruar kryeministrin Mustafa për detyrën e re, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Haxhinasto foli për mundësitë e rritjes së shkëmbimeve ekonomike, duke veçuar shfrytëzimin edhe më të madh të rrugës së kombit dhe të porteve shqiptare.

Temë tjetër e bisedës ishte thjeshtëzimi i mëtejmë i procedurave doganore, në shërbim të rritjes së qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy shteteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat