Kosova dhe Shqipëria motorë të integrimit Evropian të Ballkanit

Lajme

Kosova dhe Shqipëria motorë të integrimit Evropian të Ballkanit

Nga: Mimozë Lakna Më: 26 janar 2015 Në ora: 07:31

Ministri i Transportit i Republikës së Kosovës Lutfi Zharku priti në një takim Ministrin e Transportit të Republikës së Shqipërisë Edmond HaxhiNasto.

Në takim u bisedua lidhur me mundësinë e bashkëpunimit në fushën e transportit dhe integrimin drejt bashkimit Evropian të të dyja vendeve. Ministri i Transportit Lutfi Zharku e vlerësoi si të rëndësishëm këtë takim, ndërsa shtoi se Kosova ka nevojë për përkrahjen dhe bashkëpunimin me Shqipërinë.

“Ne edhe njëherë e konfirmojmë përkushtimin tonë që të akordojmë të gjitha aktivitetet tona dhe njëkohësisht ta ndihmojmë njëra tjetrën në fushën e integrimeve e posaçërisht kemi nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në anëtarësimin tonë në organizma të ndryshëm ndërkombëtar të transportit”, tha Zharku.

Kurse ministri i Transportit i Republikës së Shqipërisë Edmond Haxhinasto tha se prej një viti ka një marrëveshje që zbërthen fushat kryesore atë të transportit dhe të infrastrukturës duke shtuar se në këtë drejtim janë hedhur hapa konkret.

“Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë së bashku në një partneritet strategjik, ne kemi një objektiv të përbashkët që është integrimi ynë por gjithashtu edhe integrimi i rajonit dhe e konsideroj këtë bashkëpunim si një nga motorët e rajonit për t`u ofruar edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian”, tha Haxhinasto.

Ndërkohë Ministri Zharku njoftoi ministrin Haxhinasto se kanë filluar procedurat për vazhdimin e rrugës së kombit Prishtinë-Gjilan –Dheu i bardhë e po ashtu edhe për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit.

“Jemi të angazhuar në projektin e dytë madhor që është autostrada Prishtinë Hani i Elezit një kontratë e lidhur në fund të korrikut të vitit të kaluar për përfundimin në afat prej 42 muaj në vlerë afër 600 milion euro”, theksoi Zharku.

Ndërsa në këtë takim u fol edhe për infrastrukturën hekurudhore dhe mundësimin e ndërtimit të linjës hekurudhore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ku pjesa e Kosovës është vetëm 17 km ndërsa qeverisë shqiptare i mbetet pjesa tjetër.

U bisedua edhe për mundësinë e rivendosjes së linjës Prishtinë Tiranë në fushën e aviacionit .

Sot Haxhinasto në Prishtinë

Sot Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto do të qëndroj për një vizitë në Prishtinë.

Ai gjatë kësaj vizite do të takohet me homologun e tij në Kosovë, Ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

Në këtë rast ata do të mbajnë një konferencë për media./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat