Greqia voton, Evropa në ankth

Lajme

Greqia voton, Evropa në ankth

Më: 25 janar 2015 Në ora: 13:56

Grekët votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat kanë rëndësi të madhe për të ardhmen e Eurozonës.

Sipas sondazheve parazgjedhore, partia Syriza ka gjasa të mëdha për të fituar.

Kjo parti radikale e krahut të majtë, e cila udhëhiqet nga Alexis Tsipras, kundërshton masat e kursimit dhe, sipas analistëve, mund ta vë Greqinë në një përplasje me kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Fitorja e saj eventuale, rrit shqetësimet se Greqia mund të mos paguajë borxhet dhe të dalë nga Eurozona.

Greqia është përballur me shkurtime të ashpra buxhetore, në këmbim të ndihmës së negociuar me të ashtuquajturën treshe të huadhënësve: Bashkimin Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Ekonomia e Greqisë është zvogëluar në mënyrë drastike që nga kriza financiare globale e vitit 2008, duke rritur ndjeshëm papunësinë dhe duke çuar shumë grekë në varfëri.

Partia e dytë në sondazhe është ajo e kryeministrit aktual, Antonis Samaras.

Ky i fundit ka thënë se do të ishte rrezik nëse Syriza fiton, në kohën kur masat e kursimit kanë nisur të japin rezultate.

“Syriza do ta kthejë gjithë Evropën kundër Greqisë”, ka thënë Samaras.

Udhëheqësi i Syrizas, Alexis Tsipras, ka thënë se partia e tij do t’ia kthejë “dinjitetin” Greqisë, duke frenuar shkurtimet e vendeve të punës dhe duke paguar pensionet, që, sipas tij, kanë lënduar miliona njerëz në gjithë vendin.

Partia To Potami dhe ajo e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, pritet të luftojnë për vendin e tretë në zgjedhje.

Janë afro 10 milionë qytetarë me të drejtë vote, të cilët do të zgjedhin parlamentin prej 300 vendesh.

Exit-pollet e para priten menjëherë pasi të përfundojnë votimet në orën 19:00.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila thuhet se qëndron prapa planit shtrëngues të BE-së për Greqinë, ka thënë se do që Greqia, me gjithë vështirësitë, të mbetet pjesë e Eurozonës.

Disa liderë evropianë kanë porositur se, pavarësisht se kush fiton në zgjedhje, Greqia duhet të zbatojë reformat.

Zgjedhjet e sotme në Greqi po ndiqen me ankth edhe nga tregjet financiare, të cilat frikësohen se fitorja e mundshme e partisë Syriza mund ta nxjerrë Greqinë nga Eurozona.

Aktualisht, papunësia në Greqi është 25 për qind dhe ekonomia e saj është tkurrur për një të katërtën që nga fillimi i krizës në Eurozonë.

Borxhi i këtij vendi, ndërkaq, është 175 për qind e bruto prodhimit të brendshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat