Autobusët nga Gjakova nisen për protestë në Prishtinë (Foto)

Lajme

Autobusët nga Gjakova nisen për protestë në Prishtinë (Foto)

Më: 24 janar 2015 Në ora: 12:27

(E plotësuar) Autobus të shumtë me familjarët e personave të zhdukur janë nisur nga Gjakova për në Prishtinë për t’iu bashkangjitur protestë gjithëpopullore e cila pritet të filloj në ora 14:00.
Nga Gjakova në drejtim të Prishtinës janë parë se janë nisur edhe shumë persona me mjete tjera transportuese.

Studentët gati për protestë

Një grup i studentëve tashmë kanë nisur marshimin e tyre në kuadër të protestës se sotme për shkarkimin e ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe për shpalljen e Trepçës ndërmarrje publike.
Me pankarta në duar në të cilat shkruhej, “Nuk i lëshojmë minierat tona” ata sapo kanë kaluar nga Mensa e Studentëve drejt Bibliotekës Kombëtare nga ku do të fillojë protesta në orën 14.00.

Pejanët Nisen për Protestë në Prishtinë

Gjashtë autobusë me protestues janë bërë gati për t’u nisur nga Peja për protestën e cila fillon në orën 14 në Prishtinë.

Protesta është organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ajo ka gjetur mbështetje nga partitë politike opozitare dhe shumë organizata tjera.

Qëllimi i protestës është për ta shprehur pakënaqësinë për deklaratat e ministrit për Kthime dhe Komunitete të qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i kishte quajtur “egërsira” protestuesit shqoiptarë në Gjakovë që nuk kishin lejuar serbët ta vizitonin kishën ortodokse në këtë qytet më 6 janar.

Përveç autobusëve, shumë vetura private janë parë në Pejë duke u mbushur me njerëz dhe duke marrë rrugën drejt Prishtinës.

“Është protestë e qytetarëve, jo e Vetëvendosjes”, tha për KALLXO.com, Avdi Shkreli nga Vetëvendosje në Pejë.

Ndërkohë, protesta e sotme është mbështetur edhe nga grupi “Qytetarët Aktiv” nga Prizreni.

“Grupi i Qytetarëve Aktiv duke e parë situatën politike të krijuar pas grevës së minatorëve, pas riaktualizimit të problematikës me pasurinë kombëtare, gjigandin "Trepça", si dhe duke u solidarizuar me nënat e Gjakovës të cilat u ofenduan me një gjuhë fashiste nga ministri Jabllanoviq, i bashkohen thirrjes për protestë, e cila do të mbahet të shtunën duke filluar nga ora 14:00, para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë”, thuhet në kumtesën e kësaj organizate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat