Lutfi Haziri pret protesta të qeta

Lajme

Lutfi Haziri pret protesta të qeta

Më: 24 janar 2015 Në ora: 08:21

Lutfi Haziri kërkon nga qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e deklaratave të zyrtarëve serbë, gjersa një protestë gjithëpopullore do të zhvillohet sot në Prishtinë, në kërkim të dorëheqjes së Aleksandar Jablanovic dhe mbrojtjes së Trepçës.

Duke folur për Politiko.net, Anëtari i Kryesisë së LDK’së thotë se këto reagime po vijnë si pasojë e deklaratave të pamatura dhe raciste rreth luftës së fundit në Kosovë.

“Lëvizjet janë qytetare, kanë të bëjnë kryesisht me deklarata të pamatura, ofenduese edhe raciste, sa i përket luftës së fundit në Kosovë dhe krejt këtyre zhvillimeve. Ajo që është e rëndësishme, qytetarët e Kosovës e kanë Republikën e tyre. Republika e Kosovës është e qytetarëve që jetojnë në Kosovë”.

“Nuk bën në asnjë mënyrë, në asnjë formë, me ra pre e deklaratave të pelegrinëve serbë që vijnë në Kosovë, kalojnë në Kosovë dhe sillen në raport me Kosovën për konsum të brendshëm, për interesa të tyre ditore, apo çfarëdo natyre qofshin ato”.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar, të hënën, Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, me qëllim të shmangies së likuidimit të ndërmarrjes Trepça.

Po atë ditë, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Plotësim Ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike, me të cilin parashihet që për Trepçën të hartohet strategji zhvillimore dhe të nxirret Ligj i veçantë.

Ky veprim ka zemëruar xehetarët në Stantërg dhe po ashtu për këtë çështje do të protestihet sot në Ptrishtinë.

Por, Lufti Haziri mendon se Kuvendi i Kosovës me miratimin e Ligjit, e shpëtoi gjigantin metalurgjik nga falimentimi.

“Trepça është një aset i veçantë. Ajo që unë po shoh, Trepça ka shpëtuar nga falimentimi, falë reagimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria me Ligj po e mbron dhe besoj se me Ligj do të vazhdojë ta zhvillojë Trepçën si aset të madh kombëtar”, deklaron Haziri.

Haziri pret protesta të qeta, të shtunën, të paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje dhe shoqata “Thirrjet e Nënave”, të mbështetura edhe nga dy subjektet politike opozitare, AAK dhe Nisma.

“Në kuadër të këtij reagimi, unë natyrisht që nuk besoj se protesta mund të degjenerojë, apo devijojë karshi krejt kësaj situate”.

“Unë jam njëri prej atyre që mendojnë se nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhemi pre e deklaratave të pamatura, ose qëllimkëqija fundi i fundit, që i lëshojnë zyrtarët serbë që përfshihen edhe ministra të etnisë serbe në Qeverinë e Kosovës”.

“Koha do të dëshmojë se ne do të përkujdesemi ndaj Republikës sonë, ndaj zhvillimit të këtyre institucioneve dhe këtij angazhimi që Kosova e ka mbërritur këtë pas luftës”.

“Fatkeqësisht, lufta ka ende plagë të hapura dhe fajtori dihet. Fajtori është në Beograd dhe jo në Kosovë”, thotë Lutfi Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat