Kurti ultimatum Mustafës deri të hënën (Foto)

Lajme

Kurti ultimatum Mustafës deri të hënën (Foto)

Më: 24 janar 2015 Në ora: 07:50

(E plotësuar)- Në emër të mijëra protestuesve të tubuar në qendër të Prishtinës të shtunën, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka dhënë kryeministrit Isa Mustafa një afat prej 48 orësh për të shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Mijëra njerëz kanë protestuar në qendër të Prishtinës me thirrjet "Trepça është e jona", "Jabllanoviq jashtë".

Kjo protestë fillimisht ishte thirrur nga shoqata "Thirrjet e Nënave" dhe Lëvizja Vetëvendosje. Por, ajo ishte mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare dhe organizata të ndryshme.

Qytetarët, e ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës u mblodhën fillimisht tek Biblioteka Kombëtare për të vazhduar më pas marshin para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Masës së tubuar, fillimisht u është drejtuar Nesrete Kumnova, nga shoqata Thirrjet e Nënave. Ajo tha se kjo protestë po e kundërshton fashizmin e Serbisë, e cila la mijëra të vrarë e të pagjetur, mbi 20 mijë femra të dhunuara dhe tani po i fyen nënat e dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

"Po çfarë ndjenja ka kjo qeveri kur sot në karriget e lara me gjak u ul Lista Serbe", ka thënë Kumnova, e përcjellë me brohoritjet e masës "Srpska Jashtë"...

Më pas, protestuesve u është drejtuar edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Sipas tij, kjo qeveri i ka ditët e numëruara pasi që nuk ka dalë në mbrojtje të interesave të shtetit dhe qytetarëve të saj. Rrjedhimisht edhe i ka dhënë një afat prej 48 orësh për shkarkimin e Jabllanoviqit, ose përballje me protesta të tjera.

"I japim ultimatum 48, pra deri të hënën në orën 16:00, qeveria e Isa Mustafës ka afat që ta shkarkoj Aleksandar Jabllanoviqit", ka thënë Kurti para masës së tubuar.

Rreth orës 16:00, Kurti e ka shpallur të përfunduar protestën. Por, një grup ishte ndarë nga masa dhe po hidhte për më gjatë se 30 minuta gurë në drejtim të ndërtesës së qeverisë.

Si pasojë, vëreheshin demolime të pjesës më të madhe të xhamave të dritareve të kësaj ndërtese.

Më pas, Policia e Kosovës ka përdorur gazin lotësjellës për të shpërnda këtë grup protestuesish duke u larguar kanë demoluar edhe disa terasa të lokaleve në qendër të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se protesta fillimisht ishte e qetë, por më pas ajo ka eskaluar pasi që një grup nuk ishte shpërndarë. Si pasojë, ai ka thënë se kishte edhe të paktën tre persona të ndaluar, kurse nga ana e policisë, tre policë të lënduar.

"Ne jemi detyruar që të intervenojmë për t'i shpërndarë protestuesit dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes qytetarëve tjerë që nuk kanë qenë pjesë e protestës. Dhuna e tyre ka vazhduar edhe përtej objektit të qeverisë duke dëmtuar edhe xhamat e një biznesi që ka qenë afër", ka thënë Kelani.

Protesta, sipas organizatorëve kishte për qëllim nxjerrjen e Ligjit për Trepçën dhe shpalljen e këtij kombinati ndërmarrje publike.

Çështja e Trepçës, që llogaritet si një prej gjigantëve të zhvillimit ekonomik të Kosovës, është nxitur pas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë për të inicuar bisedime me Prishtinën në dialogun politik në Bruksel.

Thirrjet e vazhdueshme të protestuesve janë që Trepça është pasuri e Kosovës dhe askujt tjetër. Po ashtu, protestuesit kërkojnë edhe shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i ka quajtur “egërsira” nënat protestuese në Gjakovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se protestat janë e drejtë e qytetarëve, por ministri Aleksandar Jabllanoviq, sipas tij, nuk është problemi më i madh i Kosovës.

Këto komente Mustafa i ka bërë në Pejë, në kohën kur në Prishtinë po zhvillohej protesta me thirrjet “Jabllanoviq jashtë, Trepça është e jona”.

“Konsideroj që ministri Jabllanoviq nuk është problemi më i madh i Kosovës dhe nuk është çështja që ne duhet fokusojmë të gjitha energjitë tona politike, ato do i përkushtojmë në rritjen e punësimit, në investimet nga jashtë që vijnë në shtetin ligjor”, ka thënë Mustafa.

Në orët e mbrëmjes, policia ka vënë nën kontroll gjendjen dhe në qendër të Prishtinës ishte qetë. Organizatorët, ndërkaq, kanë paralajmëruar një tjetër protestë për të martën më 27 janar.

******************************************
Edhe pse kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti me mbarimi e fjalimit të tij e mbylli edhe protestën dhe u bëri thirrje protestuesve që të shpërndahen të qetë, kjo thirrje e Kurtit nuk i bindi ata.

Disa protestues përsëri filluan të hedhin gurë e gjësende të tjera në drejtim të dritareve të ndërtesës së Qeverisë dhe në këtë mënyrë janë dëmtuar disa dritare të Qeverisë së Kosovës.

******************************************

Ka përfunduar protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizata “Thirrjet e Nënave”. Albin Kurti ka thënë se protesta e radhës do të jetë të martën e ardhshme.

Albin Kurti s’ka mundur të përmbahet nga buza gaz derisa i ka prirë protestës e cila është organizuar para Qeverisë së Kosovës.

Ai bashkë me zyrtarët tjerë të Vetëvendosjes i kanë prirë protestës, derisa më vonë u është bashkuar në rendin e parë edhe Jakup Krasniqi. Ndërsa, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj kanë mbetur tërësisht nën hije.

******************************************

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se sheshi para Qeverisë është parlamenti i vërtetë, prandaj nga këtu ju ftojë të votoni për shkarkimin e Jabllanoviqit dhe për kthimin e Trepçës nën menaxhimin e Kosovës.

“Ne sot, nga ky vend i japim ultimatum qeveri ë 48 orë që ta shkarkojë Aleksanadar Jabllanoviqin. Pra deri të hënën në orën 16, Isa Mustafa ka afat të shkakrkojë ministrin Jabllanoviq”, tha Kurti, duke potencuar se Qeveria gjithashtu duhet ta sjell Ligjin për Trepçën.

Ai tha se nëse deri të hënën nuk e shkarkon Jabllanoviqin, të martën në orën 12 do të mblidhen sasish në shesh.

Albin Kurti kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Mustafa

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se një Qeveri që nuk i ka punët mirë më minatorët dh studentët nuk e ka jetën e gjatë. Ai ka kërkuar nga kryeministri Mustafa që ta shkarkojë Jabllanoviqin, ose vetë të japë dorëheqje.

“Në qoftë se Isa Mustafa nuk i kërkon dorëheqjen Jabllanoviqit, atëherë ne përkojmë dorëheqjen e Mustafës”, tha Kurti, duke shtuar se “jemi mbledhur ta mbrojmë Trepçën, sepse ajo është e jona e jo e Serbisë’.

“Në Trepçë ka nisur shkatërrimi i Jugosllavisë, aty do të nis bashkimi i Kosovës”, tha ai, duke shtuar se me ligjin që është nxjerr në Kuvend Serbia e fiton Trepçen”.

"Kur populli del nga shtëpia, qeveria duhet të shkojë në shtëpi", tha Kurti.

******************************************

Nën thirrjet e protestuesve “Jabllanoviq jasht”. “Me nënat shqiptare”, protestuesve u është drejtuar Nysrete Kumnova nga “Thirrjet e Nënave”. Derisa ajo ka kërkuar shkarkimin e Jabllanoviqit, protestuesit kanë sulmuar sërish objektin e Qeverisë duke i thyer xhamat.
Pasi ka thënë se Jabllanoviq i ka fyer nënat e viktimave të luftës ka kërkuar largimin e tij nga Qeveria. Kumnova ka numëruar mijëra viktima krimit dhe terrorit serb. Ndërsa ka thënë se edhe 16 vjet pas luftës nuk i janë kthyer Kosovës mbi 1650 të zhdukur.

Gjatë fjalimit të saj ajo është përcjell me thirrjet e protestuesve për nxjerrjen e Jabllanoviqit dhe listës Srpska jasht Qeverisë.

“Kërkojmë nga kryeministri Mustafa që brenda 48 orësh ta shkarkojë Jabllanoviqin”, tha ajo.

Ndërkohë nga protestuesit janë dëgjuar thirrje “Poshtë kryeministri”, “Poshtë Qeveria’

******************************************
Protestuesit sulmojnë me gjësende Qeverinë

Protestuesit kanë filluar ta sulmojnë Policinë e Kosovës, e cila është ka rrethuar objektin e Qeverisë.

Ata po gjuajnë me gjësende te ndryshme ne drejtim të tyre, derisa organizatorët po mundohen ti qetojnë ata.

Ndërsa, janë hedhur gur në drejtim të objektit të Qeverisë, duke thyer disa xhama të saj.

******************************************
Lideri i AAK’së Ramush Haradinaj dhe ai i NISMA’s Fatmir Limaj janë pjesëmarrës të protestës së sotme në kryeqytet, por ata nuk janë parë afër udhëheqësve të VV’së të cilët po i prijnë protestës.

Është thënë se Kurti, Limaj dhe Haradinaj kanë pasur marrëveshje për të dalë bashkë në këtë protestë.

******************************************
Protestuesit nisen drejt objektit të Qeverisë, u prinë Vetëvendosje (Foto)

Marshit të protestuesve u prijnë Nysrete Kumnova nga "Thirrjet e Nënave" dhe lideri i VV-së, Albin Kurti.

Protestuesit do të marshojnë deri në sheshin "Nëna Terezë"dhe do të ndalen tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës ku është vendosur një binë prej ku protestuesve do tu drejtohen me fjalimet e tyre dikush nga “Thirrjet e nënave” , mbase edhe nga liderët e subjekteve politike opozitare.

Ka nisur marrshi i protestës me moton “Jabllanoviq jashtë-Trepça është e jona”, drejtë ndërtesës së Qeverisë. Marshit të protestuesve po i prinë përfaqësues të organizatës “Thirrjet e Nënave” dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë edhe organizatorë të kësaj proteste.

Deri më tani, shihet një numër i madh i pjesëmarrësve në këtë protestë, ndërkohë, sipas organizatorëve, numri i tyre mund të arrijë në mbi 10 mijë qytetarë nga mbarë vendi.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që janë nisur nga qytete tjera të Kosovës, kanë mbetur të ngujuar në kolona të gjata në rrugët që lidhin qendrat tjera të vendit me Prishtinën.

Në këtë protestë është edhe një grup minatorësh nga Trepça.

******************************************

Protesta është dashur të fillojë në orën 14:00, por është shtyrë. Deputeti i VV-së, Ilir Deda, tha se janë disa mijëra protestues që po pritet të hyjnë në Prishtinë. Ai tha se kjo është një nga protestat më masive që ka pasur në Kosovë që nga përfundimi i luftës.

“Jabllanoviqi duhet të shkarkohet, Trepça duhet t’i kthehet Kosovës”, tha ai.

Në pritje të nisjes së marshit protestuesit po brohorasin parulla në mbrojtje të Trepçës dhe thirrjen që ministri Jabllanoviq të ikë.

******************************************

Mijëra protestues tanimë janë mbledhur në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, ku edhe do të fillojë protesta gjithë popullore kundër ministrit Jabllanoviq dhe në mbrojtje të Trepçës.
Ndërkohë, një numër i protestuesve ka mbetur rrugëve për shkak të një aksidenti në Sllatinë.

Aty janë parë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, deputet dhe kryetar të komunave. Protesta do të fillojë së shpejti.

Në Prishtinë tashmë janë duke u grumbulluar protestuesit, në vendtakimin e përcaktuar nga organizatorët te Biblioteka Kombëtare. Ndërkohë në rrugët e qytetit vërehet prani e policëve.

Protestuesve u është bashkangjitur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda , po ashtu edhe kryetarja e shoqatës së “Thirrjeve të Nënave”, Nysrete Kumnova.

******************************************
Molliqaj, Policisë: Largohuni nga Biblioteka

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj - i cili aktualisht është te Biblioteka Kombëtare - është “fjalosur” për pak edhe me policinë e Kosovës.
Ai u ka kërkuar policëve që të largohen nga aty.

“Ju lutemi largohuni nga këtu. Mos na provokoni. Këtu ka edhe policë civilë në turmë”, ka thënë ai.

Protestë gjithë popullore në Prishtinë‏

Sot në Prishtinë mbahet një protestë gjithë popullore kundër deklaratave të ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës Aleksandër Jabllanoviq.

Protesta është organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova por shumë parti politike dhe organizata jo qeveritare kanë paralajmëruar pjesëmarrjen.

Përveç kundër Jabllanoviqit, sot do të protestohet edhe në përkrahje të gjigantit metalurgjik “Trepça”, për të cilën minatorët e këtij gjiganti bënë grevë tri ditëshe.

Partitë që kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në protestë janë Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Bashkimi Demokratik,Lëvizja e Re Demokristiane, OJQ-të , organizatat e luftës së UÇK-së, Instituti Demokratik i Kosovës, Sindikata të punëtorëve, si dhe disa prej organizatave studentore.

Protesta të ngjashme janë mbajtur në Gjakovë, Gjilan, Deçan, Malishevë, Krushë e Madhe, etj.

Ministri për Kthim dhe Komunitete Aleksandër Jabllanoviq i ka quajtur egërsira nënat gjakovare të cilat po protestonin kundër vizitës së disa pelegrinëve serbë në kishën e qytetit të Gjakovës.

Ndonëse Jabllanoviq ka kërkuar falje pas disa ditësh, protestuesit nuk e pranojnë faljen por kërkojnë nga kryeministri Isa Mustafa që ta shkarkojë Jabllanoviqin nga pozita e ministrit.

Nisja e protestuesve do të fillojë nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat