1000 kujdestarë në protestë

Lajme

1000 kujdestarë në protestë

Më: 23 janar 2015 Në ora: 23:28

Lëvizja “Vetëvendosje” i është përgjigjur Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë pas deklaratës së kësaj të fundit lidhur me kujdesin që duhet të kenë qytetarët amerikanë në protestën, që do të mbahet nesër në Prishtinë.

Sekretari i përgjithshëm i LVV-së, Dardan Molliqaj, në një bisedë për “Zërin” ka thënë se protesta e së shtunës, me moton: “Jabllanoviq jashtë dhe Trepça është e jona”, do të jetë mirë e organizuar.

“Jo, protesta nuk do të eskaloj në asnjë moment. Afër 1000 kujdestarë me emër dhe mbiemër do të kujdesen sipas skenarit të “Vetëvendosjes” dhe “Thirrjeve të nënave” dhe nuk ka asnjë mundësi, vetëm nëse Policia e Kosovës ka plane për ta penguar skenarin e saj”, ka thënë ai.

Madje, Molliqaj ka deklaruar se kjo protestë do të jetë më e madhja në dhjetë vjetët e fundit në Kosovë.

“Në bazë të komunikimeve që kemi pasur me përfaqësuesit tonë në komuna vërehet një disponim i dyanshëm që vjen nga kornizat dhe subjektet politike dhe të qytetarëve në përgjithësi. Shumë vetura, autobusë dhe kombibusë, në mënyrë të organizuar, do të nisen nga komunat. Në bazë të përvojës sonë dhe të punës presim që do të ketë dhjetëra mijëra dhe shpresoj që do të jetë protesta më e madhe, të paktën në dhjetë vjetët e fundit”, është shprehur ai.

Ndryshe, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka informuar gjithë qytetarët amerikanë që të jenë të kujdesshëm në lidhje me protestën që do të mbahet të shtunën në Prishtinë dhe qytetet e tjera kosovare.

“Demonstratat, që kanë për qëllim të jenë paqësore, mund të kthehen në konfrontuese dhe të përshkallëzohen në dhunë. Ju duhet t’i shmangeni zonat e demonstrimeve dhe të keni kujdes nëse ndodheni në afërsi të ndonjë tubimi, proteste”, thuhet në njoftimin e Ambasadës për qytetarët amerikanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat