Haziri: Të bëhemi gardian në afirmimin e vlerave

Lajme

Haziri: Të bëhemi gardian në afirmimin e vlerave

Më: 23 janar 2015 Në ora: 19:26

Është nënshkruar sot Memorandumi i Mirëkuptimit në mes komunës së Gjilanit dhe UN Ëomen për bashkëfinancimin e aktiviteteve që burojnë nga Strategjia Komunale kundër Dhunës në Familje 2013-2018.

Bashkëfinancimi përfshinë periudhën kohore Janar-Dhjetor për vitin 2015. Të pranishëm në këtë akt ishin kryetari i Komunës Lutfi Haziri, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku – Rexhepi, shefja e UN Women për Kosovë, përfaqësues të organeve të drejtësisë, të sigurisë, të gjithë përfaqësuesit e Mekanizmit Koordinues dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dhënë mbështetje aktiviteteve të këtij mekanizmi të cilin e udhëheq, duke spikatur rolin e rëndësishëm të të gjitha institucioneve të cilat janë të përfshira në këtë grup të madh, duke vlerësuar se kontributi i përbashkët mund të sjell rezultate edhe më të mira gjatë të ardhmes.

“Sot po e konfirmojmë vullnetin tonë të përbashkët për ta funksionalizuar edhe më shumë rolin tonë, për të parandaluar së bashku me Mekanizmin çdo tendencë, apo formë abuzimi, dhune në familje ndaj grave, fëmijëve dhe ndaj të gjitha dukurive për të cilat jemi ndërtuar. Kisha nderin e veçantë gjatë vitit të kaluar të familjarizohem me problemin, duke dëgjuar raportet periodike dhe mund të them lirisht se nga pesë apo gjashtë mekanizma që i ka Gjilani, ky mekanizëm është në funksion të realizimit të qëllimit për çka edhe është ndërtuar. Këtë vit bashkërisht do të punojmë më shumë në mënyrë që ta bëjmë bashkërisht Gjilanin shembull dhe të ulim çdo lloj shifre dhe tendence negative që mund të jetë në shoqërinë tonë. Dëshiroj të kapitalizoj edhe këtë mekanizëm në kuadër të gjendjes së sigurisë që është në Komunën tonë, falë angazhimit dhe përkushtimit të njerëzve dhe institucioneve që merren në baza ditore me gjendjen e sigurisë dhe është njëra prej komunave më të qeta me parametra jashtëzakonisht të mirë pa asnjë vrasje në vitin e fundit dhe natyrisht me trendë jashtëzakonisht pozitive”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri, duke porositur se duhet edhe më shumë punë e të gjithë neve që trendët negative që mund të vijnë për shkak të problemeve sociale dhe problemeve të tjera që ka popullata e Gjilanit të mos nxisin askënd që të kemi dukuri abuzive apo dhunë të çfarëdo natyre.

Ndërsa, Flora Macula, shefja e UN Women për Kosovën, ka thënë se për këto tri vite të funksionimit janë shënuar rezultate mjaft të mira dhe në emër të kësaj është shënuar progres në këtë drejtim sa i përket mbrojtjes së grave nga dhuna në familje dhe dhuna në përgjithësi.

“Në Gjilan ka progres. Progresi është shumë i madh në këtë drejtim sa i përket dhunës së grave në familje dhe dhunës në përgjithësi. Mbështetja e kryetarit është shumë e madhe në këtë drejtim kryesisht të iniciativave për drejtat e grave në gjithë sektorët, duke filluar nga shoqëria civile e deri tek ato qeveritare. Do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht në këtë drejtim. Do të investojmë edhe më shumë dhe do të ketë ngritje të fondeve edhe më shumë drejt rrugëtimit tonë të përbashkët”, tha ajo ndër të tjerash.

Ndryshe, në këtë Mekanizëm Koordinues janë të përfshirë një numër shumë i madh i institucioneve, lokale, rajonale por edhe qendrore, sikurse që në këtë janë të përfshirë edhe Shoqëria Civile dhe akter të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat