Fundviti me apo (pa) energji elektrike

Lajme

Fundviti me apo (pa) energji elektrike

Nga: Diana Bunjaku Më: 30 dhjetor 2014 Në ora: 15:31

Ditët e fundit të vitit 2014 pritet të jenë me reduktime të energjisë elektrike. Korporata Energjetike e Kosovës nuk do t’i kthejë në punë në kohën e planifikuar, dy njësitë e termocentralit Kosova A, të cilat ishin paaftësuar pas shpërthimit më 8 qershor.

Nga ana tjetër KEDS-i nuk e ka në plan të mbulojë me import mungesën e energjisë elektrike që pritet të vijë nga mungesa e prodhimit të energjisë elektrike. Qytetarët kanë mëdyshje dhe janë të frikësuar që do ti pret një dimër i vështirë dhe se nuk do të kenë rrymë të mjaftueshme as për vitin që do të hyjnë, pasi KEK-u me gjithë problemet e veta që i ka, nuk do t’ia dal të ballafaqohet si korporatë.

Hazir Rrmoku nga Prishtina tha se nuk shpreson aspak tek KEK, se do të ketë energji elektrike të mjaftueshme për qytetarët. Ai dyshon se jo vetëm për këtë gjysmë muaj të këtij viti kjo korporatë do ti furnizojë ata me rrymë elektrike, por madje as në vitin që do hyjnë. “ Vitin e kaluar pikërisht në natën e ndërrimit të mote moteve ishte ndalur rryma, dhe t’ju them të drejtën askush nga familja ime se kishim pritur një gjë të tillë. Tash kur KEK e ndal rrymën në natën e Vitit të Ri, kur të gjithë do të duhej ti cakërronim gotat dhe të ishim të lumtur, ne duhej ti kërkonim fenerët e qirinjtë si në kohën e gurit. Dhe pikërisht për këtë fakt, mund ta merrni me mend, se si KEK-u do të fillojë punën në vitin 2015”, thotë Rrmoku.

Edhe qytetari tjetër, Ekrem Reçica thotë se disa lagje të Prishtinës ende ballafaqohen me mungesën e rrymës elektrike. Fatkeqësisht jeta në Kosovë, sipas tij, nuk po i përmbush nevojat bazike të qytetarëve. Ai fajin ua hedh pushtetarët të cilët çdo herë e më shumë po shkojnë nga premtimi në premtim, dhe shumë pak po i përmbushin nevojat e tyre.

“ Shekulli XXI dhe ne ende ballafaqohemi me mungesë të rrymës elektrike, ujit dhe ngrohjes. Kam dëgjuar që në disa pjesë të Prishtinës tani ngrohja është më kualitative mirëpo çmimi rreth pagesave është ende i lartë. Dihet që avulli i ardhur nga elektrana është pa pagese, ndërsa paguhet njëjtë si ngrohja me mazut, dhe kjo nuk është aspak në rregull. Shpresojë që ky problem të rregullohet në tërë qytetin, mirëpo gjërat janë duke shkuar shumë ngadalë dhe më dëm shëndetësor e material për qytetarët.

Edmond Nulleshi, drejtor në Shërbimet e Korporatës KEK, tha se përkundër sfidave të ndërlidhura me jetëgjatësinë e pajisjeve, përformanca e KEK-ut, falë investimeve të duhura, menaxhimit efikas dhe përkushtimit të punëtorëve në tërë hallkat e veprimit tash e 6 vite ne vazhdimësi ka pasur një rritje te qëndrueshme.
“ Vitin e kaluar, prodhimi ishte gati 7 % më i lartë në krahasim me vitin e mëhershëm. Për më tepër, prodhimi nga termocentralet e KEK-ut gjatë vitit kaluar ka qenë me i larti që nga lëshimi në punë i tyre, ndërsa nëse krahasojmë atë me vitin 2002, ai ishte 100 % më i lartë, “ tha Nulleshi.
Sipas Nulleshit, në këtë moment janë të gatshme për shfrytëzim rreth 13 milion ton qymyr, përderisa ne deponim e termocentraleve janë te depozituara rreth 400,000 tonë rezerva.
“ Gjatë kësaj periudhe numri i ndalesave si dhe koha e mbajtjes jashtë pune e njësive te Kosovës A dhe B është përgjysmuar ne krahasim me vitet e kaluara. Pasi me 06 qershor 2014, KEK ka pësuar një aksident tragjik në Termocentralin Kosova A” thotë Nulleshi.
Ai tha se edhe përkundër sfidave të ndërlidhura me humbjen financiare nga mungesa e të hyrave për shkak të prodhimit të munguar si pasojë e aksidentit, KEK-u në një afat rekord ka ndërmarr të gjitha hapat për sajimin e situatës së krijuar.

Sipas tij, duke marr parasysh të gjitha këto, janë marr të gjitha masat, në kuadër të rrethanave të krijuara pas aksidentit, që gjatë vitit 2015, njësitë gjeneruese të KEK-ut të punojnë në bazë të bilancit energjetik të rishikuar, ne koordinim me KEDS-in si bartës i licencës se furnizuesit publik.

“ Gjatë këtij procesi, me qëllim të ruajtjes së buxhetit dhe shkurtimit të qëndrimit të njësive jashtë pune shume aktivitete që ndërlidhen me këto remonte janë duke u kryer në mënyrë simulantë me ç ‘rast koordinimi dhe mbikëqyrja e tyre është shume sfiduese”, tha Nulleshi për Bota sot.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat