30 ditë paraburgim për serbin e dyshuar për terrorizëm

Lajme

30 ditë paraburgim për serbin e dyshuar për terrorizëm

Më: 27 dhjetor 2014 Në ora: 12:11

(E plotesuar) Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës thotë se për ta përcaktuar llojin e eksplozivit të gjetur në veturën e Slobodan Gavriqit, u desh të përdoren skanerët e sigurimit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Kjo për shkak se qentë e Policisë së Kosovës nuk kishin reaguar ndaj kësaj materie.

Slobodan Gavriqit i është caktuar masa prej 30 ditë paraburgim, i dyshuar për dy vepra penale. Këtë vendim e ka marr sot Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht departamenti për krime të rënda. Gavriqi dyshohet për veprën penale përgatitje e veprës terroriste dhe veprës penale eksporti, furnizimi, transporti, këmbimi dhe shitja pa autorizim e armëve.

Serbi Slobodan Gavriq, sot është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku edhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. I dyshuari ka pranuar veprën e dy penale me të cilën ngarkohet për eksport, furnizim, transport, këmbim dhe shitje e pa autorizuar e armëve, derisa ka mohuar veprën e parë penale me të cilën ngarkohet.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi tha se në këtë periudhë nuk mund të konstatojnë për cakun që ka pasur i dyshuari për hedhjen e mjetit me eksploziv.

Ibrahimi: I dyshuari ngarkohet me dy vepra penale

“Mund të konfirmoj se Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda ka caktuar paraburgimin ndaj Slobodan Gavriqit për veprën penale, dyshime të ekzistimit të veprës penale përgatitje e veprës terroriste nga neni 144 paragrafi 4, paragrafi 1, dhe një vepre tjetër që është eksporti, furnizimi, transporti, këmbimi dhe shitja pa autorizim e armëve nga neni 372 të Kodit Penal të Kosovës. Tani i pandehuri ka pranuar veprën penale nën pikën dy të kërkesës për caktimin e paraburgimit që i referohet vënien në qarkullim të materieve eksploduese, ndërsa veprën penale në pikën një nuk e ka pranuar...ka thënë se ka pasur vetëm për ta shitur, nuk e ka treguar vendin se ku, por është mbrojtur se këtë sasi të eksplozivit e ka pasur për shitje”, tha Ibrahimi.

Pas arrestimit të enjten të Gavriqit, u raportua se i dyshuari kishte për qëllim që eksplozivin ta gjuante në katedralen “Nëna Terezë”, në Ambasadën Amerikane, apo edhe në Hotelin Grand, ku edhe ishte vendosur.

Por, Ibrahimi tha se aktualisht ata nuk flasin për këto supozime, dhe as nuk i konfirmojnë, e as nuk i hedhin poshtë asnjërën prej tyre.

Ibrahimi: Çështja është nën hetime

“Ka diçka që ne në këtë fazë të procedurës penale nuk mund t’i referohemi, sepse kemi të bëjmë me procedurën ku çështja është nën hetime. Tani për tani prokuroria ka bërë të besueshme arsyen për caktimin e masës së paraburgimit, ka mjaftë prova që janë bindëse për gjykatën që të caktoj paraburgimin, për më tutje mbetet që prokuroria speciale t’i zbatoj hetimet ndërsa këto hetime zbatohen nën autoritetin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, do të thotë se ne i mbikëqyrim hetimet ndërsa hetimet i zbaton prokurori special”, tha Ibrahimi.

Dënimet për këto vepra penale janë deri në 20 vite burg, pasi Kodi Penal i Kosovës parash që edhe nëse vepra mbetet në tentative, dënimi është i njëjtë.

Slobodan Gavriq, shtetas i Serbisë, i martuar, baba i dy fëmijëve, punëtor i Ministrisë së Bujqësisë, me profesion veterinar, dyshohet se ka kryer veprat penale të përgatitjes së veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës; si dhe import, eksport, transportim, prodhim këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse të ndaluara sipas Kodit Penal të Kosovës.

Slobodan Gavriq Del Sot Para Gjykatës

Slobodan Gavriq, i arrestuar të enjten në mbrëmje në Prishtinë, do të dalë pas pak çastesh para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë për t’u njohur me akuzat për të cilat dyshohet.

Gavriq u kap në automjetin e tij me të cilin po bartte 12.2 kilogramë eksploziv të cilin hetuesia dyshon se po planifikonte t’i shpërthente në Prishtinë.

Drejtuesit e shtetit të Kosovës e kanë cilësuar këtë akt si planifikim të sulmit terrorist ndërsa Gavriq po akuzohet për cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat