"Bredhi i Korrupsionit"

Lajme

"Bredhi i Korrupsionit"

Nga: P.Rudi Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 17:04

Përfaqësues të grupit të qytetarëve aktiv "Për Prizrenin" kanë shënuar sot një aksion simbolik për të kundërshtuar qeverisjën e komunës së Prizrenit nga Ramdan Muja.

Përmes një komunikatë për media, përfaqësuesit e ketij grupi theksuan se viti 2014 për Prizrenin ka qenë një prej viteve më të brishta, më skandaloze dhe më të jashtëzakonshme që nga paslufta. Në pjesën më të madhe të këtij viti, Prizreni është udhëhequr nga një njeri i dënuar nga gjykata për abuzim të detyrës zyrtare.

Si pasojë e qëndrimit të një të dënuari për vepër penale në krye të komunës, Prizrenin e kanë përcjellë një mori skandalesh, aferash korruptive dhe kriminale të zyrtarëve publik.

Prizreni nën udhëheqjen e të dënuarit Ramadan Muja është bërë burim informacioni për kronikat e zeza, burim i punës së prokurorëve për të hetuar shkeljet e ligjit nga zyrtarët komunalë, si dhe qendër e krimit dhe korrupsionit.

- Sot Prizreni ka një drejtor të Arsimit të dyshuar për disa vepra penale dhe nën dy aktakuza, njëra prej tyre është skajshmërisht skandaloze, ku udhëheqësi i Arsimit në Prizren duke shfrytëzuar manifestimin që bëhet në emër të dëshmorit Remzi Ademaj, ka përvetësuar paligjshëm pasurinë publike.

- Prizreni sot, njërin prej dikastereve më të rëndësishme , atë të ekonomisë e ka pa udhëheqës, sepse ish-drejtori i saj Mehmet Bytyq akuzohet për ngacmim seksual dhe pedofili.

- Sot Qeverisja komunale në Prizren numëron dhjetëra zyrtarë nën hetime dhe të akuzuar për vepra penale.

Sot ky pushtet komunal më shume i ngjanë një konstruksioni njerëzish të infiltruar në krim, sesa një trupe që duhet t’i përfaqësojë qytetarët.

Kjo kastë njerëzish duke u thirrur në emër të përfaqesuesve të qytetarëve, kanë nëpërkëmbur dinjitetin e tyre, duke u thirrur në mbrojtje të trashëgimisë kulturore kanë rrënuar atë, dhe duke u thirrur në emër të vlerave të luftës dhe të dëshmorëve kanë shkelur mbi gjakun e tyre.

Këta njerëz nuk mund të na shiten edhe më tej si përfaqësues të popullit, dhe nuk mund të na kamuflojnë një gjendje normale e të zakonshme, sepse fytyrat e tyre të verteta janë të zeza, të lidhura me krimin dhe korrupsionin.
Prizreni është "zbukuruar" nga një bredh që simbolizon edhe festat e fundvitit.

Mirëpo qytetarët e Prizrenit nuk kanë shumë arsye për të festuar, sepse jeta e tyre është vështirësuar skajshmerisht, dhe krenaria e tyre ka humbur, thuhet në komunikatën e e grupit të qytetarëve aktiv "Për Prizrenin". /BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat