Ministria e Drejtësisë, ndan Çmimin për Drejtësi “Sali Çekaj”

Lajme

Ministria e Drejtësisë, ndan Çmimin për Drejtësi “Sali Çekaj”

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 12:33

Ministria e Drejtësisë e ka ndarë çmimin “Sali Çekaj” në drejtësi për disa kontributdhënës të së kaluarës por edhe bashkëpunëtorë të tashmes dhe të së ardhshmes.

Çmimi post mortum për drejtësi i është ndarë Bajram Kelmendit dhe Adem Bajrit, çmimi për kontribut të jashtëzakonshëm në drejtësi i është ndarë Ismet Kabashit, Esat Stavilecit, po ashtu me këtë rast janë ndarë edhe një varg çmimesh për kontribuues të ndryshëm si profesorë e studentë të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka thënë se përveç ndarjes së çmimeve, ky tubim e ka edhe një veçanti tjetër pasi e ka përmbledhur punën e tij gjatë mandatit të kaluar në krye të MD-së.
Kuçi tha se do ta ndërton arkitekturën e drejtësisë pasi katër vite pas e shohim se drejtësia jonë ka një arkitekturë, “kemi ligje të mira dhe moderne, kemi krijuar kushte të veçanta për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Kemi nxjerrë shumë ligje që kanë garantuar dhe themeluar institucione të reja që e kanë ndihmuar drejtësinë dhe shërbimin për qytetarë, e kemi ndërtuar noterinë, e kemi ndërtuar ndërmjetësimin, arbitrazhin, përmbaruesit privat, administratorët falimentues dhe një varg institucione tjera si institucione të hulumtimit, të krimeve të luftës, e kemi realizuar agjencinë për sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme dhe kemi bërë po ashtu edhe avokatin e shtetit dhe agjencinë e shtetit dhe shumë institucione që funksionojnë në vendin tonë, burgun e sigurisë së lartë dhe burgun për dëshmitarët e mbrojtur”, ka thënë ai.

Kuçi i përmendi edhe disa objekte që janë ndërtuar në këtë periudhë, derisa ka shtuar se për mandatin e ardhshëm moto e tij do të jetë besimi në drejtësi.

Ai po ashtu tha se katër vite më herët drejtësia ka qenë mirë, por sot pas katër vitesh është shumë më mirë, dhe në këtë drejtim ai tha se secili prej nesh e ka meritën dhe e ka kontributin e vet. Ai shtoi se “ne kemi pasur dhe sfida, dobësi dhe në momente të caktuara kemi pasur edhe lëshime”.

“Moto e punës sime për 4 vitet e ardhshme do të jetë besimi në drejtësi. Unë e di si fitohet besimi i qytetarëve në drejtësi, bashkë me ju, e di që qytetarët e republikës sonë kanë dëshirë të shohin gjyqtarë dhe prokuror me dinjitet, profesional, të pavarur, të paanshëm dhe një gjyqësor efikas dhe këtë do ta bëjmë që ta ndihmojmë në tërësi”, ka theksuar ai.

Ai tha se duhet të kemi respektim dhe liri të të drejtave të lirive të njeriut deri në pikën e fundit për gjithë ata qe janë qoftë në vuajtje të dënimit apo si qytetarë të thjesht.

“Unë e di se për një vend për aq sa është demokratik për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, demokracia matet se sa kanë gjyqtar të pavarur, të paanshëm dhe me dinjitet, dhe unë do të kontribuoj bashkë me ju se këta gjyqtar e këta prokurorë të kenë paanshmërinë dhe efikasitetin”, tha Kuçi.

Ai tha se do të fokusohen në veçanti në çështjet civile, duke premtuar së në këtë mandat do ta nxjerrin kodin civil të Republikës së Kosovës.

“Unë kam qenë në shërbim të drejtësisë edhe pa qenë ministër, kam qenë në shërbim të drejtësisë dhe për katër vitet e ardhshme do të jem në shërbim të drejtësisë dhe do të jem për tërë jetën. Unë kam menduar se shërbimin për drejtësi ta bëjë edhe në pozitat tjera pa qenë fare ministër. Unë besoj se çdo qytetar mund ti shërbej drejtësisë edhe pa qenë ministër, megjithatë unë ndihem krenar që jam sot ministër, ndihem ballë hapur para jush por ndihem edhe i obliguar dhe me përgjithësi për punët që na presin”, tha Kuçi.

Ndryshe, ndarja e këtij çmimi është bërë një aktivitet tradicional në shenjë respekti për ata që japin kontribut në drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat