Sami Lushtaku kthehet sot në zyrën e tij

Lajme

Sami Lushtaku kthehet sot në zyrën e tij

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 11:08

Një poster gjigant i Sami Lushtakut, i vendosur në njërën nga ndërtesat, përballë shtatores së komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, pak ditë pas arrestimit të tij, me mesazhin, “kryetar, qytetarët po e ndjejnë mungesën tënde”, mund të mos jetë më aty, të paktën jo me këtë mesazh, pasi që kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, pas 18 muaj në paraburgim, është liruar.
Qytetarët e Skenderajt, të cilët kërkonin lirimin e tij, përfshirë edhe protestat, kanë kremtuar të premten deri natën vonë, me muzikë dhe fishekzjarrë, kthimin e kryetarit Lushtaku në mesin e tyre.

Ai të hënën, për herë të parë në mandatin e tretë të tij, të fituar me mbi 80 për qind të votave të qytetarëve të Drenicës, do të ulet në karrigen e të parit të komunës, pasi që Gjykata Themelore e Mitrovicës, me dorëzani, ka liruar Lushtakun dhe të tjerët nga “Grupi i Drenicës”, që të mbrohen nga liria.

Gjithashtu, për kryetarin Lushtaku, do të jetë hera e parë që do të ulët në karrigen e të parit të Skenderajt, në objektin e ri të komunës, pasi që përurimi dhe transferimi i administratës komunale në objektin e ri është bërë gjatë kohës sa ai ndodhej në paraburgim. Në fakt, Lushtaku pati ardhur vetëm sa të bërë betimin, në mënyrë që të mos humbte mandatin dhe qëndrimi i tij në sallën e Kuvendit, nuk pati zgjatur hiq më shumë se 5 minuta.

Në një komunikatë të EULEX-it, thuhet mes tjerash, se masa e lirimit do të zgjasë deri me 18 shkurt dhe se gjatë asaj kohe, Lushtaku dhe të tjerët kanë disa kufizime, të cilat nuk ndikojnë fare në punën dhe aktivitetet e Lushtakut. Sipas komunikatës, Lushtaku dhe të tjerët nuk do të mund të kenë kontakte me asnjë prej dëshmitarëve, apo familjarëve të tyre, nuk mund të japin deklarata publike, apo të mbajnë fjalë në tubime publike dhe as nuk mund të jenë në mesin e më shumë se 10 personave.

Në anën tjetër, komuna e Skenderajt ka dalë me një komunikatë, me anë të së cilës është vlerësuar vendimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, për lirimin e Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga “Grupi Drenica”, për t’u mbrojtur nga liria.

“...Lirimi i kryetarit Lushtaku nga paraburgimi dhe mbrojtja e tij në liri është lehtësim për ne, si institucione, si dhe për qytetarët e Skenderajt”, thuhet në komunikatë, e cila shpreh bindjen se të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së, të akuzuar për krime lufte në këtë rast, janë të pafajshëm.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe pjesëtarët e saj nuk kanë bërë krime të luftës, të supozuara dhe për të cilat po akuzohen. Duke përcjellë rrjedhën e procesit gjyqësor ndaj z. Sami Lushtaku dhe të tjerëve, ne jemi të bindur në pafajësinë e tyre...”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat