Rruga ‘trup’ e qytetarëve të Kosovës për në Europë (Foto)

Lajme

Rruga ‘trup’ e qytetarëve të Kosovës për në Europë (Foto)

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 22:41

Qytetarët e Kosovës duket se më nuk e kanë në plan t’i presin institucionet e tyre që të përmbushin kriteret për heqje të vizave, e as Bashkimin Europian që të gjej konsensusin politik, për ta trajtuar shtetin e ri, si të barabartë me ata të rajonit. Tani ata kanë zgjedhur rrugën “trup” për në Europë.

Janë të shumta dhe të ndryshme pengesat të cilat kanë bërë që Kosova të ngecë në procesin e integrimit evropianë, por edhe në zhvillimin e vendit, i cili do të arrinte të siguronte mirëqenie për qytetarët e tij.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon të drejtën që qytetarët e saj të kenë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Një pjesë e përgjegjësisë për këtë i takon vetë Kosovës, e pjesa tjetër me peshë hiq më të vogël, vetë Bashkimit Evropian.
Zyrtarët politik të Unionit kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të përmbushin kriteret për heqje të vizave, ndërsa këta të fundit fajësojnë të parët se janë çështjet politike ato që ndalojnë Brukselin të marr një vendim të tillë.

Në të dy këto qëndrime ka të vërteta. Kosova nuk ka arritur që t’i kryejë sa duhet detyrat e veta, por edhe Brukseli nuk po arrin të gjejë konsensus në politikën e tij për shtetin të cilin pesë vende anëtare vazhdojnë të mos e njohin.

Qytetarët e Kosovës, pas vite të tëra pritje, duket se u është harxhuar shpresa. Ata tani po zgjedhin rrugën “trup” drejtë Bashkimit Europian, duke shmangur procesion e plotësimit të kritereve, në rend të parë nga institucionet e shtetit të tyre, e më pas edhe ato të institucioneve burokratike dhe me qëndrime jo unike të Unionit.

Rruga e qytetarëve të Kosovës për në BE, edhe kjo ilegalja, si për ironi të fatit, sërish kalon përmes Serbisë.

Vlerësohet se vetëm gjatë këtij viti, përmes Serbisë e Hungarisë, rreth 14 mijë qytetarët kanë emigruar në vendet me ekonomi të fortë të BE-së.

Largimi i tyre vazhdon çdo ditë, ndërsa institucionet e Kosovës, të themeluara rishtas, pas rreth gjashtë muaj ngërç politik, përveç deklaratave boshe, nuk janë në gjendje që të ndërmarrin ndonjë veprim konkret në pengimin e këtij fluksi, i cili duket se do ta zgjasë edhe më shumë kohën kur qytetarët do të ndjehen të barabartë me fqinjët e tyre, që shikuar realisht nuk është se jetojnë në vende me standard më të mirë se sa Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat