Sindikata e BIK-ut e shqetësuar për manipulimet

Lajme

Sindikata e BIK-ut e shqetësuar për manipulimet

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 20:22

Komunikate e Sindikatës së punëtoreve të Bashkësisë Islame të Kosovës për mes një komunikate për shtyp ka ngritur zërin për parregullsitë dhe shkeljet të cilat në heshtje po vazhdojnë në institucionin tonë.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se nuk është e ndershme dhe as fetare që disa punonjës të caktuar të kryesisë së BIK-së, të dhjetëfishojnë standardin e tyre jetësor, për një kohë shumë të shkurtër, kurse pjesa më e madhe e imamëve dhe nëpunësve brenda saj, të mos arrijnë t`i mbulojnë as shpenzimet minimale për veten dhe familjet e tyre.

“Sindikata e BIK-së, ndien obligim qytetarë dhe moral, që edhe më tutje të ngritë zërin e saj për parregullsitë dhe shkeljet të cilat në heshtje po vazhdojnë në institucionin tonë.

Përkundër shqetësimeve tona të bazuara dhe të thëna publikisht, ende asgjë nuk ka ndryshuar në drejtim të riorganizimit të kërkuar dhe të duhur të BIK-së, qoftë në nivel lokal apo në atë qendror.

Ndryshimet e llojit “ plotësim dhe harrnim”, në statutin ( kushtetutën) e brendshme të BIK-së, të shkaktuara në formë gangsteriane sipas modelit puçist, në fundin e verës së vitit 2013, çdo herë e më shumë po zbardhin faktin se ato ishin bërë vetëm për interes të një grupi të caktuar, me qëllim të vazhdimit të avazit të vjetër, në mënyrë që edhe më tutje të gëzojnë privilegje materiale, të cilat vite e dekada me radhë ky grup i ka shijuar qetë, mbi kurrizin e punonjësve të BIK-së, të vet institucionit dhe të shoqërisë e vendit në përgjithësi.

Nuk është e ndershme e aq më pak fetare e shpirtërore, që disa punonjës të caktuar të kryesisë së BIK-së, të dhjetëfishojnë standardin e tyre jetësor, për një kohë shumë të shkurtër, kurse pjesa më e madhe e imamëve dhe nëpunësve brenda saj, të mos arrijnë t`i mbulojnë as shpenzimet minimale për veten dhe familjet e tyre.

Sindikata e BIK-së kërkon që gjendja të kthehet në pikën zero, aty ku edhe u shkel forma dhe mënyra e ndryshimit të statutit ( kushtetutës) së BIK-së, e cila kësaj kryesie dhe kreut të saj, i mundësojë padrejtësisht dhe në formë manipulante qëndrim në krye të BIK-së, që ai klan edhe më tutje të vazhdojë me gjynahet e vjetra.

Ne, si edhe me parë, këtë model të sistemeve arbitrare dhe diktatoriale e kundërshtojmë sërish fuqishëm, dhe njëkohësisht kërkojmë nga të gjithë punonjësit e këtij institucioni, që sa më parë të ngritin zërin e pakënaqësisë për këtë formë dhe model të uzurpimit dhe privatizimit të institucionit tonë fetar, i cili po vazhdon te na shkaktoj dëm kolektiv.

Sindikata e BIK-së nuk do të hesht për këto padrejtësi dhe katrahura të shkaktuara brenda institucionit tonë, nga kjo politikë udhëheqëse e kësaj Kryesie, e cila ka dëmtuar rënd imazhin e BIK-së, si dhe institucionin e vet imamit në publik.

Si rezultat kësaj logjike organizative, kjo kryesi gjatë viteve që po lëmë pas, ka bërë shumë veprime të dëmshme, si:

a. Është bunkerizuar për interes të ngushtë të klanit dhe ka rritur nepotizmin ne organet dhe institucionet e BIK- se deri në maksimum,

b. ka shkaktuar ngecje në reformimin e kurrikulave dhe plan-programeve mësimore në institucionet e veta arsimore.

c. Ka ngulfatur autonomine akademike të Fakultetit të Studimeve Islame, duke zgjedhur e emëruar dekanin dhe prodekanin jo profesional dhe jo adekuat; njëri historian i historisë së përgjithshme, e tjetri filolog i gj.angleze.

d. Ka shkaktuar përçarje në Këshillat regjional të BIK-së, duke caktuar udhëheqës servil përkundër vullnetit të përgjithshëm dhe votës së shumicës së anëtarëve.

e. Ka nivelizuar pagat e mësimdhënësve të Medresesë pa grada shkencore si dhe të stafit teknik të Kryesisë, barabartë me ato të profesorëve të Fakultetit, të cilët kanë grada dhe tituj shkencor. Një mësimdhënës në Medrese ose një punëtor teknik në kryesi realizon pagë më të lartë se sa një profesor në FSI-së.

f. Ka dëmtuar imamët përmes dallimit dhe divergjencave në pagesa mujore.

g. Ka dhënë përparësi punësimit të kuadrove jo profesionale ndaj atyre profesionale.

h. Ka pranuar kuadro pa verifikim të dokumentacionit të tyre.

i. Ka pranuar ligjërues në Fakultet pa asnjë shkallë shkencore dhe i ka refuzuar të tjerët me shkallë të lartë akademike shkencore, etj.etj.

Prandaj, për këto dhe shumë arsye tjera, Sindikata e BIRK kërkon nga institucionet e vendit që sa më parë që është e mundur të rregullojnë pozitën juridike të BIK-së, sepse një vakum i tillë po i mundëson individëve të caktuar brenda këtij institucioni, që të përligjin të drejtat e punonjësve tanë, duke mos përfillur as ligjet civile e kushtetuese të vendit.

Kjo strukturë e brendshme e Kryesisë së BIK-së nuk është e gatshme që t`i bëjë ndryshimet e kërkuara dhe të nevojshme, e as që ka vullnet për to, sepse me një veprim të tillë ata do të humbin privilegjet që i kanë gëzuar dekada me radhë. Riorganizimi i këtij institucioni e shkëput përgjithmonë elitën e vetzgjedhur të Kryesisë së BIK-së nga sistemi i vjetër organizativ, i dizajnuar në byrotë politike të regjimit komunist.

Qeveria dhe institucionet qeveritare të vendit, të krijojnë një zyre permanente për çështje të religjionit në Kosovë, e cila do t`i koordinonte nevojat dhe kërkesat e të gjitha komuniteteve fetare në vend, në formë dhe mënyrë institucionale”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së BIK-ut./A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat