Erionin e mbytën qentë, familja iku në Francë, por qenët prapë rrezikojnë Karaçevën

Lajme

Erionin e mbytën qentë, familja iku në Francë, por qenët prapë rrezikojnë Karaçevën

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 14:19

Driton Jashari nga Fushë Kosova është viktima e tretë e papërgjegjësisë së pushtetit. Qenët endacakë morën edhe para tij jetë fëmijësh. Në Rakinicë të Skenderajt, një fëmijë 7-vjeçar Valmir Beqiri u shqye nga qenët në vitin 2003 teksa po kthehej i vetëm nga shkolla.
Ky fëmijë nuk kishte bërë as foton e fund vitit me shokët e klasës. Varrimi i tij u krye pa u shoqëruar nga fotoja e tij.

Në Karaçevë të Dardanës, në vitin 2011, një turmë qensh bënë copë trupin e fëmijës Erion Foniqi, i cili në atë kohë ishte nxënës i klasës së parë.

Sulme të qenve para këtyre viktimave dhe pas tyre janë raportuar nëpër pothuajse në të gjitha komunat e vendit, por që përfunduan pa marrje të jetëve njerëzish, e vetëm me lëndime. Në fshatin Karaçevë të Dardanës nuk jeton më familja e Erionit.

Shaban Foniqi, babai i Erionit me bashkëshorten dhe dy fëmijët tjerë ka ikur për në Francë.

Një vit e gjysmë pas vdekjes së Erionit, banorët tregojnë se ai nuk mundi të vinte në rrezik dhe jetën e dy fëmijëve të tjerë nga kafshimi i qenve. Përfaqësuesi i Bashkësisë Lokale në Karaçevë, Selver Lenjani thotë për “Zërin” se Shabani (babai i Erionit) ka migruar për në Francë.

“Dhimbja për djalin i shkatërroi, ata patën dhe dy fëmijë tjerë dhe kishin frikë se mos do të bëheshin dhe ata viktima të qenve endacak”.

Ai thotë se pastaj edhe varfëria, e hyrja e xhandarmërisë serbe në këtë fshat...e sidomos shtimi i numrit të qenve endacak, po i bënë çdo ditë e më të pasigurt për jetën e tyre karaçevasit.

“Ata deshën siguri për jetën e dy fëmijëve tjerë dhe ikën e mbyllën shtëpinë”, thotë ai. Lenjani thotë se qenët endacak ende në këtë zonë rrezikojnë jetën e banorëve. Nga lagjja Selishtë, për të ardhur deri në shkollë, ai thotë se fëmijët duhet të bëjnë në këmbë 2-3 kilometra.

“Fëmijët asnjëherë nuk guxojnë të lihen vetëm të shkojnë në shkollë. Prindërit i shoqërojnë çdo ditë. Po u lanë vetëm ata s’mund të mbrohen nga qenët dhe i mbysin”, thotë Lenjani duke treguar se nuk ka pasur asnjë përpjekje institucionale për të eliminuar qenët endacak në këtë zonë, edhe pse sipas tij banorët ishin ankuar disa herë.

As pas vdekjes së Erionit, ai thotë se nuk u morën masa për parandalimin e përhapjes së qenve endacak./Zeri/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat