Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi dhe Drejtori i DKRS-së, Kujtim Isa, janë takuar të premten në ambientet e Kuvendit të Komunës me sekretaren e parë dhe kryetaren për bashkëpunim në ambasadën gjermane në Kosovë, Henriette Kotter dhe zyrëtarët e "Diakonia Kosova".
Ata kanë biseduar rreth të ardhmes së Qendrës Rinore multietnike që funksionon në afërsi të Urës kryesore të Ibrit, e cila është ndërtuar si donacion nga shteti gjerman, për të mbështetur aktivitetin e saj.
Kotter ka theksuar se kjo qendër ka kryer dhe po kryen një punë të mirë në krijimin e mjedisit për aktivitete rinore, si dhe për integrimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë. “Mirëpo, si donator kemi vendosur që kjo qendër të vazhdoj të jetë nën ombrellën e “Diakonia Kosova”, duke bashkëpunuar ngusht me komunën, për të organizuar punën e të rinjve të qytetit”, ka thënë ai.
Nënkryetari Kamberi ka vlerësuar bashkëpunimin që ka komuna me "Diakonia Kosova", në disa fusha, përfshirë këtu edhe punën e Qendrës rinore. Ai shpreson se konform mundësive do të gjenden rrugë për mbështetjen e kësaj qendre në vitin që vjen.
Gjatë bisedës është ptencuar puna e koordinimit të punës dhe aktiviteteve ndërmjet dy qendrave rinore që janë duke funksionuar në Mitrovicë, si dhe mundësia e unifikimit dhe funksionimitë të tyre si një qendër rinore, ku do të ketë hapësirë dhe mundësi më të medha për aktivitete.
Kujtim Isa, drejtor i DKRS-së ka theksuar se drejtoria mbështet punën e qendrës rinore që funksionon në stadiumin e sporteve të vogla "Fatime Xhaka" e cila ka aktivitete gjatë gjithë vitit.
Kamberi dhe mysafirët janë dakorduar që të caktohet takimi i përbashkët për gjetjen e mundësisë së unifikimit dhe ngritjes së kapaciteteve të qendrës rinore, në mënyrë që ajo të ofrojë mundësi dhe aktivitete për të rinjët e të gjitha komuniteteve.