Kryeministri Mustafa për ngushllime në familjen Jasharaj

Lajme

Kryeministri Mustafa për ngushllime në familjen Jasharaj

Nga: Valbona Mazreku Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 12:37

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa vizitoi familjen Jasharaj në Fushë Kosovë, për t’iu shpreh ngushëllime pas humbjes tragjike të jetës së djalit të tyre, nga kafshimi i qenve endacak.

Kryeministri Mustafa u zotua me këtë rast se Qeveria do të angazhohet që të bëjë ndryshime në vend, në mënyrë që të sigurohet jetë normale për qytetarët.

“Është një humbje dhe dhimbje e madhe për të gjithë ne, sepse fjala është për një të ri, por edhe për gjendjen shumë të rëndë sociale të këtyre familjeve, të cilat për shkak të mungesës së artikujve elementarë, fëmijët detyrohen të kërkojnë ushqimet edhe nëpër kontejnerë dhe mbeturina dhe, kjo flet sa është përgjegjësia jonë që ne të bëjmë ndryshime në këtë vend, në mënyrë që njerëzve t’iu sigurojmë jetë normale, në mënyrë që t’i mbrojmë fëmijët nga rreziku që iu kanoset çdo ditë, edhe nga qentë, edhe nga rreziqet tjera” theksoi kryeministri Mustafa.

Po ashtu, kryeministri Mustafa tha se Qeveria do të përkushtohet së bashku me pushtetin lokal që tragjedi të tilla mos të ndodhin më.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha tha se rastet e tilla janë tipike sociale që mund të përsëriten kudo në Kosovë.

“Është një rast që ka të bëjë mes raportit të njerëzve dhe ambientit ku jetojnë. Biseduam edhe me kryeministrin që kjo çështje të trajtohet në nivel të Kosovës. Vetëm këtë vit kemi trajtuar rreth 500 qenë, dhe nuk ka ndonjë mundësi për eliminimin total të tyre, nëse nuk bëhet një Plan i Përgjithshëm, ku trajtimi i tyre duhet të shkoj bashkërisht edhe në Prishtinë, edhe në Lipjan, edhe në Fushë Kosovë dhe të gjitha komunat tjera” potencoi kryetari Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat