Komuna e Prizrenit duhet të dëshmoj (pa)fuqinë e vet në zbatimin e ligjit

Lajme

Komuna e Prizrenit duhet të dëshmoj (pa)fuqinë e vet në zbatimin e ligjit

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 11:01

Forumi Transparenca në Prizren ka mbajtur debatin e radhës në kuadër të ciklit “Ballafaqim” mbi temën “Rrënimet si dëshmi e (pa)fuqisë”. Në këtë debat në fokus kanë qenë diskutimet mbi rrënimet e fundit në qytetin e Prizrenit, që kanë ngritur një numër dilemash në mesin e qytetarëve.

Një nga shqetësimet më të mëdha të shprehura nga komuniteti, e të cilat gjatë debatit janë mbështetur edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare si dhe aktivistët civil dhe medial ka qenë qasja selektive e komunës ndaj parregullsive urbane në qytet, duke treguar vendosmëri për zbatimin e ligjit vetëm në rastet që konsiderohen si “të lehta”.

Panelistët e këtij debati, drejtori komunal për Urbanizëm, Nijazi Kryeziu dhe drejtori i Inspektorateve, Bedri Bytyqi kanë theksuar se Komuna s’ka qasje selektive dhe se do të jetë e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe vënien e rregullit urbanistik. Sa i përket zhvillimeve në Qendrën Historike të Prizrenit kanë thënë se kompetente është Task Forca e MMPH-së, e cila nuk ka vepruar për shkak të bllokadës gjashtë mujore në nivel qendror. Zyrtarët komunal kanë pohuar se do të jenë të pamëshirshëm ndaj uzurpuesve të pronës publike dhe keqpërdoruesve të lejeve ndërtimore.
Në anën tjetër përfaqësuesit e komunitetit nga rruga “Wesley Clark” fillimisht janë ankuar për përdorimin e dhunës nga zyrtarët shtetërorë gjatë aksionit për rrënimin e objekteve pa leje, si dhe kanë shfaqur shqetësimin për qasjen arbitrare të Komunës ndaj banorëve të kësaj rruge, që sipas tyre nuk vlen edhe në përballjen me grupet e biznesit, sidomos nga sektori i ndërtimtarisë.

Në këtë drejtim edhe përfaqësuesit e partive opozitare LDK, VV dhe BD kanë akuzuar qeverinë komunale për qasje selektive në rrënime, ngase sipas tyre ekzekutivi lokal nuk merret me “mafinë e ndërtimeve” e as me Qendrën Historike, por vetëm me ekonomitë familjare, duke rrezikuar në këtë mënyrë ekzistencën e tyre, ndërkohë që “milionerëve askush nuk ia prish tymin e duhanit”.

Shoqëria civile dhe mediat e Prizrenit kanë përkujtuar se me vite janë artikuluar shqetësimet në lidhje me degradimin urban të qytetit, sidomos në Qendrën Historike të Prizrenit dhe se qeveria lokale në raport me grupet e biznesit nuk e ka treguar përkushtimin e njëjtë për zbatim të ligjit dhe ka mëshiruar të gjitha tejkalimet, qoftë në gabarit, qoftë në etazhitet.

Gjithashtu anëtarët e Forumit Transparenca kanë bërë thirrje që qeveria komunale të ketë transparencë më të madhe dhe të shpërndajë me kohë informacionet relevante për publikun, në lidhje me planin e përgjithshëm për vendosjen e rendit urbanistik.
Forumi Transparenca është trup joformal i përbërë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike dhe misioni i tij është koordinimi i veprimeve të këtyre akterëve për të rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat