Komuna e Prishtinës: Kujdes nga festimet me mjete pirotenike (Video)

Lajme

Komuna e Prishtinës: Kujdes nga festimet me mjete pirotenike (Video)

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 20:48

Komuna e Prishtinës, ka nisur një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e mjeteve piroteknike dhe rrezikun që mund të sjellin ato.
Në kuadër të kësaj fushate, përmes një aktiviteti, Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci, Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla dhe Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, u munduan t’i bindnin qytetarët se përdorimi i mjeteve piroteknike është me rrezik.
“Ju duhet të festoni me mjete që nuk janë të rrezikshme për shëndetin tuaj dhe të shmangeni përdorimit të petardëve ose fishekzjarrëve që mund të jenë të rrezikshme. Komuna e Prishtinës në mënyrë të organizuar do të festojë shënimin e Vitit të Ri. Andaj, sidomos fëmijët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, ngaqë ka pasur raste të shumta që shkaku i pakujdesisë ata kanë pasur pasoja në shëndetin e tyre”, tha drejtoresha Nagavci, para disa nxënësve, prindërve dhe mësuesve të të gjitha shkollave.
Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla, në anën tjetër tha se ligji e përcakton qartë mënyrën e tregtimit dhe të përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Ligji qartësisht e definon se kjo është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht e inspektoratit të tyre. Por, për shkak të sigurisë dhe të mirës së qytetarit të Komunës së Prishtinës, Drejtoria komunale, Inspeksionit i ka ofruar asistencë dhe kemi marrë angazhime konkrete që festat e fundvitit t’i bëjmë sa më festive, duke u munduar t’i parandalojmë aksidentet dhe lëndimet që kanë ndodhur gjatë viteve të kaluara”, tha Sveçla.
Ai, bëri publik edhe numrat e inspektoratit që kushdo që vëren shkelje në këtë fushë të lajmërohet në mënyrë që intervenimi të jetë i menjëhershëm: 038 245 666 dhe 038 245 777.
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti, tha se rreptësisht është e ndaluar shitja e produkteve piroteknike në vende të hapura publike (tregje, rrugë dhe sheshe).
Të pranishmit patën rastin të informohen edhe se përdorimi i tyre kur në afërsi është ndonjë fëmijë, i moshuar, apo grua shtatzëne, mund të sjellë dëme të mëdha shëndetësore.
Në këtë prezantim u shfaq edhe një video e fushatës vetëdijësuese, të cilën mund ta shihni duke klikuar në lidhjen e mëposhtme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat