Qindra qytetarë me traget drejt Italisë, policia nis verifikimin

Shqipëria

Qindra qytetarë me traget drejt Italisë, policia nis verifikimin

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 18:21

Policia e Vlorës nisi verifikimin për procedurat e imbarkimit në një nga tragetet e linjës Vlorë-Brindisi të disa qindra qytetarëve që kërkojnë të udhëtojnë drejt Italisë dhe më pas vendeve të tjera të BE-së, mes të cilave Gjermania.

Rreth 500 qytetarë, kryesisht nga rrethet Vlorë, Fier, Lushnjë e më pak nga qytete të tjera të vendit, mbërritën rreth mesditës në mjediset e portit të Vlorës, me autobuzë të dy shoqërive, për t’u imbarkuar në një nga tragetet që përshkojnë këtë linjë.

Një pjesë e tyre, kanë pretenduar se do të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku, shpresojnë të punësohen, apo të përfitojnë lehtësi qëndrimi.

“Kemi marrë informacion se, deri në datën 24 dhjetor, shteti gjerman ofron mundësi punësimi, apo lehtësi qëndrimi, prandaj dhe po udhëtojmë me shpresën për të përfituar nga ky fakt”, shprehen për ATSH-në disa nga udhëtarët.

Ata nuk tregojnë burimin e këtij informacioni, po këmbëngulin se gjithçka është e saktë.

Nisur nga ky fakt, policia e Vlorës ka nisur procedurat e verifikimit, madje ka shoqëruar edhe drejtues të dy kompanive të udhëtarëve.

Ende nuk ka një deklaratë zyrtare të policisë, por, në vazhdimësi pritet një komunikim me shtypin për rezultatet e këtij procesi.

Nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që, një pjesë e udhëtarëve të kthehen mbrapsht. Bëhet fjalë për ata që nuk përmbushin kushtet ligjore të udhëtimit për në vendet e BE-së.

Po ashtu, mjaft qytetarë të tjerë, janë shprehur se, janë të pajisur me biletë të rregullt dhe shkojnë për të kaluar festat e fundvitit tek të afërmit e tyre në Itali e gjetkë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat