Haziri: Prokuroria po heton 34 lëndë të qeverisjes së kaluar të Gjilanit

Lajme

Haziri: Prokuroria po heton 34 lëndë të qeverisjes së kaluar të Gjilanit

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 17:10

Lutfi Haziri gjatë prezantimit të punës së tij një vjeçare si kryetar i Gjilanit, ka bërë të ditur se 34 lëndë janë duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale, të cilat kanë të bëjnë me qeverisjen e kaluar. Ai tha se ka arritur ta kthej besimin e qytetarëve.
Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se Prokuroria Speciale është duke hetuar 34 lëndë që ka të bëjnë me qeverisjen e kaluar nga Qemal Mustafa.

Haziri në një konferencë për media, ku ka folur për punën dhe sfidat tij, gjatë një viti si kryetar i Gjilanit, ka thënë se 17 projekte infrastrukturore që kanë qenë nga qeverisja e kaluar nuk janë trajtuar për shkak se ndodhen në hetime.

“Gjilani duhet të çlirohet nga infrastruktura edhe pse janë 17 projekte nga ish qeveria komunale të cilat nuk janë trajtuar e as përfunduar nga ana e jonë për shkak se janë në hetim e sipër”.

“Janë edhe 34 lëndë që po hetohen dhe kjo ishte një sfidë për ne. Edhe tani në qeverisjen time janë gjetur 54 objekte pa leje çka do të thotë se drejtoria e inspeksionit nuk i ka arritur objektivat. Edhe zyra e prokurimit publik është një vrimë e zezë për administratën”, tha Haziri.

Ai ka thënë se viti 2014 ka qenë vit i vështirë buxhetor për shkak të obligimeve që kanë gjetur nga ish qeveria komunale, por se kanë arritur ta kthejnë besimin tek qytetarët.

”Përkundër borxheve të mëdha, ne kemi arritur ta kthejmë besimin tek qytetarët duke krijuar të hyra vetanake edhe pse problem mbetet inkasimi i borxheve. Borxhlinjtë që në këtë rast janë kompanitë dhe qytetarët kanë 12 ditë afat që të kryejnë obligimet komunale sepse nuk do të ketë tolerancë ndaj tyre”.

Sipas Hazirit, Gjilani tanimë hynë me një buxhet më të përmirësuar nga Qeveria e Kosovës, raporton rajonipress.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat