Tahiri: Qytetarët e të dyja shteteve meritojnë lëvizje të lirë

Lajme

Tahiri: Qytetarët e të dyja shteteve meritojnë lëvizje të lirë

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 16:00

Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së ku u diskutua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve.

Përmes një njoftimi për media u tha se në këtë takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Byrove Evropiane palët diskutuan për rëndësinë e avancimit të këtij procesi që pritet të rezultojë me uljen e tarifave të sigurimeve të automjeteve duke përmirësuar më tej lëvizjen e lirë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, në bazë të standardeve evropiane.

Takimi u zhvillua në një frymë të mirë dhe bashkëpunuese në mes palëve në dialog për këtë çështje ku kontribut të veçantë dhanë Byrotë e sigurimeve të të dyja shteteve dhe Këshillit të Byrove Evropiane.

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri theksoi rëndësinë e avancimit të procesit në drejtim të përfundimit të marrëveshjes kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjete.

“Përfundimi i kësaj marrëveshje në mes të përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve të përfaqësuara nga institucioni përgjegjës Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe institucionit homolog të Serbisë, do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht edhe lehtësoj lirinë e lëvizjes në mes të dy shteteve fqinje, theksoi ajo.

Ajo vlerësoi përparimet në këtë takim trepalësh dhe shprehu bindjen se të dyja palët është me rëndësi që të fokusohen te interesi i qytetarëve i të dyja shteteve, të cilët meritojnë një lëvizje të lirë pa ngarkesa financiare”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat