Hahn: Sundimi i ligjit, prioritet për Kosovë

Lajme

Hahn: Sundimi i ligjit, prioritet për Kosovë

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 14:03

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Negociim të Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë një takimi në Bruksel me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Duke numëruar detyrimet që Kosova ka përballë Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, zoti Hahn ka theksuar se “sundimi i ligjit vazhdon të jetë prioritet dhe Kosova natyrisht duhet të dëshmojë zotimin e saj të qartë për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Kosova duhet të ofrojë rezultate edhe në agjendën e saj më të gjerë, të reformës zgjedhore, ekonomike dhe administratës publike”, ka thënë zoti Hahn, i cili gjithashtu njoftoi se do ta vizitojë Kosovën në fillim të vitit të ardhshëm.

Në takimin e përbashkët me gazetarë, zoti Thaçi nga ana e tij tha se institucionet e Kosovës janë të zotuara në tërësi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit.

“Procesi i liberalizimit të vizave do të jetë një prej prioriteteve kryesore për Kosovën dhe Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin para saj”, ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës, duke nënvizuar edhe zotimin për përgjegjësinë e vendit karshi dialogut me Serbinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat