Imzot Dodë Gjergji: Varfëria po i çon qytetarët në ekstremizëm fetar

Lajme

Imzot Dodë Gjergji: Varfëria po i çon qytetarët në ekstremizëm fetar

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 09:59

Kreu i Kishës Katolike të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka deklaruar se ekstremizmi është një e keqe e madhe, porse nuk mendon që populli shqiptar do të përqafojë një filozofi të tillë të urrejtjes dhe nuk beson kurrë se shqiptarët do të ndjekin një mendim që i çon drejt përçarjes dhe ndasive.

Në një intervistë për Gazetën Exppres, ku përveç radikalizmit fetar të shfaqur viteve të fundit, Imzot Gjergji ka folur edhe për bashkëjetesën, tolerancën ndërfetare, gjendjen e bashkësive fetare në Kosovë, mospërfaqësimin e katolikëve në qeverinë e re, mosnjohjen e Kosovës dhe marrëdhëniet me Vatikanin, dhe çështje të tjera.
“Neve na vjen keq sepse ka ndodhur diçka që nuk e kemi pritur, që nuk është në natyrën e njeriut tonë, diçka që i përbuz gjithë ato pasuri që ne përpiqemi ndër shekuj por edhe sot t’i demonstrojmë. Na vjen keq që disa nga njerëzit tanë janë vënë në shërbim të gjërave të cilat e dëmtojnë në thelb qenien tonë shqiptare, evropiane, dinjitetin njerëzor, dashurinë vëllazërore, tolerancën ndërfetare dhe kulturën që e kultivojmë ndër shekuj”, ka thënë imzot Gjergji i pyetur të komentoj grupimet ekstremiste dhe arrestimet e të dyshuarve për radikalizëm fetar në Kosovë.

“Është një proverb popullor që thotë: ‘Kur të shohësh se po i digjet shtëpia fqinjit, përgatitu, sepse do të digjet edhe e jotja’. Që i bie se një fenomen, një rrezik apo situatë e tillë ekziston dhe prekemi të gjithë, por nuk na frikëson. As nuk mendojmë që populli jonë do ta përqafojë një filozofi të tillë të urrejtjes dhe nuk besojmë kurrë se njeriu jonë do ta ndjekë një mendim i cili na çon drejt përçarjes dhe ndasive”.

“Sigurisht që deri te kjo situatë çon gjendja e përgjithshme e varfërisë në vend. Kur jemi në këto situata, disa njerëz sigurisht lypin derëdalje dhe atëherë shpeshherë gabojnë dhe kalojnë tek e keqja, sepse e keqja ofrohet më shpejt, e mira vjen shumë ngadalë. Por s’ka teori që mund ta shpjegojë se e keqja mund të vijë në emër të Zotit. Zoti është burim i dashurisë, i pajtimit, Zoti është paqe dhe nuk mundet kurrë Zoti të dëshirojë të keqen, as prej të bijve të vet e as kundër atyre që e shkaktojnë atë”.

Gjergji ka thënë se nuk mendon se mungesa e ligjit për bashkësitë fetare është një prej problemeve, shkaktare e krejt këtyre ekstremizmave të izoluar.

“Jo, unë nuk mendoj që mungesa e një ligji të tillë shkakton një lloj ekstremizmi ose që lejon një lloj ekstremizmi, sepse ato janë gjëra me të cilat merren edhe ligjet e tjera. Por mungesa e ligjit për bashkësitë fetare na e vështirëson jetën më shumë neve si Kishë, si Bashkësi Islame, si Kishë Ortodokse si bashkësi të tjera që janë në Kosovë, sepse e delegjitimon veprimin tonë. Ndërsa, miratimi i një ligji e legjitimon veprimtarinë tonë dhe na e mundëson të jemi të pranishëm në mënyrë juridike në këto çështje”, ka thënë ndër të tjera Imzot Gjergji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat