Serbia dhe krimet e luftës

Lajme

Serbia dhe krimet e luftës

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 00:12

Parlamenti Evropian i bëri thirrje Serbisë që të marrë masat e duhura ndaj një serbi ultranacionalist për “retorikën e tij të kohës së luftës”.

Parlamenti miratoi një rezolutë që dënon me forcë Vojislav Sheshelin për atë që e quajti “luftënxitje, nxitje të urrejtjes, dhe inkurajim i pretendimeve territoriale, në vazhdën e përpjekjeve për të devijuar Serbinë nga rrugëtimi i saj evropian”.

Rezoluta i bën thirrje autoriteteve serbe të hetojnë sjelljen e Sheshelit dhe të ndërmarrin hapat e nevojshme në rast se ai ka shkelur ligjet kundër gjuhës së urrejtjes dhe komenteve të tjera të ngjashme.

Gjatë këtij muaji, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e liroi përkohësisht zotin Sheshel për t’u kuruar nga kanceri pas pothuajse 12 vitesh paraburgimi.

Bashkimi Evropian u shpreh se që nga lirimi i tij më datë 12 nëntor, Shesheli ka bërë thirrje publike për krijimin e “Serbisë së Madhe” dhe shpalli “pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje”, përfshirë Kroacinë, e cila është vend anëtar i BE-së.

Akuzat ndaj 60-vjeçarit përfshijnë vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të qëllimshëm të fshatrave të banuara gjatë luftërave në Ballkan në vitet ‘90-të. Ai e ka deklaruar veten të pafajshëm, dhe vendimi i gjykatës ndërkombëtare nuk është marrë ende.

Ligjvënës kroatë kanë bërë thirrje që ai të rikthehet nën arrest për shkak përhapjes së “urrejtes dhe intolerancës” që nga momenti që u lirua.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç e kritikoi rezolutën e BE-së, duke konsideruar ofenduese për vendin dhe popullin e tij./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat