Nishani: Klasa politike në Kosovë u tregua e matur, trajtoi vetë vakumin institucional

Lajme

Nishani: Klasa politike në Kosovë u tregua e matur, trajtoi vetë vakumin institucional

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 21:59

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në një intervistë për televizionin publik ka uruar shqiptarët në të gjitha trojet ku jetojnë për festën e 28 Nëntorit.

Nishani ka thënë se pozita e shqiptarëve në rajon është përmirësuar dukshëm, dhe se ka ardhur koha që ‘t’i lëmë retorikët deklarative dhe t’i përvishemi punës në vepër’.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për marrëveshjen për bashkëqeverisje PDK-LDK, për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, pas zgjedhjeve të 8 qershorit klasa politike në Kosovë tregoi maturi.

"U pa se klasa politike e Kosovës gjithçka e trajtoi vetë, e trajtoi në mënyrë të pavarur, në bazë të këndvështrimeve të tyre. Fakti që kishte negociata që kishte para-koalicione, kishte pas-koalicione, kishte qëndrime, tregon për një maturi të klasës politike në Kosovë. Këto janë çështje teknike të një debati i cili do të vijë gjithmonë duke u zhvilluar dhe duke u pjekur", tha ai.
Nishani ka komentuar deklaratën e kryeministrit Rama në Beograd. Ai tha se vizita dhe deklaratat e Kryeministrit Edi Rama në Beograd nuk janë për tu befasuar. Ai tha se edhe vetë Serbia e di se cili është realiteti.

"Qëndrimet tona janë të qarta. Kosova është e pavarur", tha Nishani.
Nishani pret që edhe minoritetet të bëhen pjesë e zhvillimeve dinamike në vend.

Ai thotë se duhet racionalizuar një kulturë politike kundrejt opozitarit, dhe nëse një parti politike, sipas Nishanit, del përtej normave e kodeve, penalizimin do ta merr nga elektorati.

Sa më shumë që ka arritur Shqipëria aq më shumë ka sfida përpara ka thënë presidenti Nishani, kurse për Kosovën thotë se ka sjellë kontribute reale sa i përket stabilitetit rajonal, deri sa për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni e Serbi thotë se duhet bërë më shumë në fushën e arsimit dhe infrastrukturës, e shqiptarët në diasporë i ka vlerësuar si faktorë mjaftë të rëndësishëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat