Blej Shqip për fuqizimin ekonomik të vendit

Lajme

Blej Shqip për fuqizimin ekonomik të vendit

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 17:17

Të blejmë produkte shqiptare, si një rrugë drejtë fuqizimit ekonomik të kombit tonë. Ngase, promovimi i prodhimeve vendore, nuk është çështje emocionale, por është koncept i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Kështu pohoi kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, në hapjen zyrtare të panairit "Blej shqip".
Ahmeti tha se shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë minimale në krahasim me potencialet që kanë të dyja vendet.
Andaj theksoi se duhet eliminuar të gjitha barrierat, me qëllim integrimit të tregut, i cili do të mundësonte që fare pa tarifa, të bëhej eksporti dhe importi brenda kombit shqiptar.
Ndërsa ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se hapja e këtij panairi, është një aktivitet ndërgjegjësues, për t’i treguar gjithë shqiptarëve, që dimë të prodhojmë mirë për veten tonë, por dhe për eksport.
Ai tha se Shqipëria importon 800 milionë euro produkte ushqimore, dhe se kjo është e papranueshme sipas tij, pasiqë të gjitha janë produkte, të cilat dikur janë prodhuar në Shqipëri e të cilat madje edhe janë eksportuar.
Ndryshe, ministri i Ekonomisë së Shqipërisë Arben Ahmetaj dhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, vizituan panairin “Blej Shqip’, i cili po mbahet në qendër të Prishtinës, për të parë nga afër prodhimet të cilat po ekspozohen për dy ditë me radhë, nga prodhues kosovarë dhe ata nga Shqipëria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat