Pas Rudnicës, Jallovishta lokacioni i ri i gërmimeve për varrezë masive

Lajme

Pas Rudnicës, Jallovishta lokacioni i ri i gërmimeve për varrezë masive

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 16:35

Në rajonin e Rashkës, gjegjësisht në Rudnicë, deri tani janë gjetur vetëm 58 mbetje mortore të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Në fillim të gërmimeve, pritjet ishin për minimum 250 trupa. Tani pala kosovare, pretendon se gërmimet në rajonin e Rashkës, duhet filluar në një territor tjetër, i quajtur Jallovishtë, ku ka dyshime të bazuara për një varrezë të re masive, me trupa të shqiptarëve të vrarë.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, ka thënë për lajmi.net, se është mjaft e rëndësishme dhe presin që të vazhdohet puna edhe në lokacionet tjera që ndërlidhen me rastin e Rashkës, siç është lokacioni në Jallovisht, rasti i shkritores së Borit, si dhe lokacionet tashmë të shënjuara në rrethinën e Novi Pazarit.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka konfirmuar se lokacioni në Jallovishtë, ka qenë i potencuar edhe në kërkesat zyrtare të Delegacionit të Kosovës, të proceduara më parë, e që ndërlidhen me rastin e Rashkës.

Në takimin Grupit Punues për Persona të Zhdukur të mbajtur më 18 nëntor 2014, në Beograd, në mes të Delegacionit të Kosovës dhe Delegacionit të Serbisë, krahas prezantimit të aktiviteteve të realizuara gjatë vitit 2014, Delegacioni i Kosovës, ka paraqitur edhe një sërë kërkesash për gërmim në lokacione të dyshuara për varreza masive të jashtëligjshme, me mbetjet mortore të viktimave të luftës, në Kosovë.

Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Prof. dr. Pajazit Nushi, seancën e fundit të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, e ka vlerësuar si mjaft produktive, ku sipas tij, gjërat në mes të palëve janë thënë mjaft hapur, dhe kjo padyshim që i kontribuon transparencës së punës në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur.

Andaj, siç është potencuar edhe gjatë takimit të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës, pret konkretizimin e hapave në procedimin e mëtutjeshëm dhe realizimin e vlerësimeve të nevojshme dhe në lokacionin e dyshuar në Jallovishtë të Rashkës, e në veçanti duke pasur parasysh edhe faktin se gjetjet e deritanishme në Rudnicë, të Rashkës, nuk paraqesin as ‘minimumin’ e pritjeve, bazuar edhe në deklaratat zyrtare të institucioneve të Serbisë, të publikuara qysh në kohën kur ishte riaktulizuar ‘rasti i Rashkës’, nga ana e Delegacionit kosovar, në vitin 2010.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat