Luksemburg, familja shqiptare nuk fiton azilin, policia u heq të birin nga shkolla

Lajme

Luksemburg, familja shqiptare nuk fiton azilin, policia u heq të birin nga shkolla

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 16:14

Një shkollë e mesme ka reaguar me zemërim, pasi policia ka dërguar një nxënës shqiptar 17-vjeçar të kësaj shkolle, në një qendër arresti për riatdhesim.

Sipas gazetës “Le Quotidien”, incidenti ka ndodhur në orën 08:00 të mëngjesit të së mërkurës në shkollën e mesme teknike “Lycée Technique du Centre” (LTC).

Gazeta e përditshme raporton se studenti ishte njëri prej pesë personave, për të cilët Ministria e Jashtme e kishte njoftuar shkollën se duhej riatdhesuar në vendet e origjinës.

Nxënësi në fjalë e ka ndjekur shkollën në Luksemburg për pesë vjet. Kur aplikimi i familjes për azil nuk u pranua, atyre iu kërkua që të ktheheshin në Shqipëri në mënyrë vullnetare brenda muajit.

Pasi familja nuk u kthye, shteti e kontaktoi shkollën dhe i kërkoi që nxënësi të përjashtohej nga shkolla. Megjithëse shkolla e refuzoi në fillim kërkesën, ata u bindën më në fund.

Drejtori i shkollës, Jean-Paul Lenertz tha se shkolla i dënoi veprimet e autoriteteve. “Ne duhet t’i respektojmë vendimet e gjykatës, por që ne t’u japim nxënës autoriteteve pa pyetur, kjo bie ndesh me vlerat tona etike bazë dhe na kujton kohërat e këqija”, tha ai.

Menaxhimi i shkollës dhe shokët e grupit të nxënësit të riatdhesuar i kanë dërguar një letër Ministrisë së Arsimit në Luksemburg, ku kanë shprehur tronditjen në përballjen me incidentin. Nxënësi është riatdhesuar me 33 njerëz të tjerë nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe është kthyer me një avion.

Ministria e Jashtme e Luksemburgut, në një deklaratë të lëshuar ditën e enjte, tha se incidenti ndodhi ndërsa familjet ishin në proces riatdhesimi. Sipas saj, kur nxënësi nuk mund të gjendej, autoritetet kontaktuan shkollën. Megjithatë, Ministria mohon faktin se Policia e Luksemburgut apo agjentët e Imigrimit kanë shkuar në shkollë për ta marrë nxënësin aty, apo që kanë hyrë në ndërtesën e shkollës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat