Janjiq: “Srpska” i bëri gabim llogaritë, do të kenë pak hapësirë në qeveri

Lajme

Janjiq: “Srpska” i bëri gabim llogaritë, do të kenë pak hapësirë në qeveri

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 22:53

Analisti politik serb, Dushan Janjiq ka thënë se serbët në Kosovë dhe Beogradi i kanë bërë gabim llogaritë rreth asaj që po ndodhte në Prishtinë gjatë muajve të fundit.
Janjiq gjatë intervistës me revistën serbe, NIN, ka thënë se serbët kanë menduar gabimisht se Lista Serbe do të jetë partneri vendimarrës në qeverinë e re.
Ai vlerëson se në qeverinë e re të Kosovës serbët do të kenë më pak poste se sa në qeveritë e mëparshme pasi tani bëhet fjalë për një koalicion shqiptar shumë më stabil.
Janjiq ka vlerësuar se serbët duhet të jenë të lumtur nëse arrijnë të marrin qoftë edhe një pozitë ministri dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.
Analisti serb thotë se për shkak se disa prej deputetëve të rinj për herë të parë do të bashkëpunonin me institucionet e Kosovës, ata mendonin se më mirë do të ishte që të mbështetën vetëm te Beogradi.
“Serbët e kishin vetëm një deputet të pavarur, Nenad Rashiqin dhe dy prej Partisë së Pavarur të Liberalëve që e kanë kuptuar realitetin se nuk mund të punosh me urdhrat e Vulinit, Gjuriqit apo Janjiqit prej Beogradit”, ka thënë analisti serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat