Thaçi: Vendit do t’i japim institucione stabile

Lajme

Thaçi: Vendit do t’i japim institucione stabile

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 14:48

Nën udhëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën mori vendime nga përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me koalicionin e ri qeverisës dhe përgatitjet për krijimin e institucioneve të reja.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi:

Duke respektuar vullnetin shumicë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të shprehur më tetë qershor, duke respektuar edhe mendimet e Gjykatës kushtetuese të Republikës së Kosovës, javën e kaluar, është ndërtuar koalicioni i ri për institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës, koalicion ky me zotimin për zhvillim dhe integrim.

Do të vazhdojnë projektet dhe do të kemi edhe projekte të reja si institucione të ardhshme të Republikës së Kosovës.

Vendit do t’i japim institucione stabile, demokratike, me njerëz kredibilë, institucione të dinjitetshme.

Projektet e ofruara para qytetarëve, do të punojmë maksimalisht për t’i realizuar, gjë që kam edhe besim të plotë.

Në anën tjetër, do të krijojmë një ambient dhe hapësirë të mjaftueshme edhe për opozitën, do të kemi një hapësirë dhe bashkëpunim me shoqërinë civile, mediet, do të punojmë që të kemi bashkëpunim rajonal me të gjitha vendet e rajonit; do t’i kryejmë të gjitha zotimet ndërkombëtare, pra do të punojmë për të pasur një vend të zhvilluar, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, që sa më shpejtë të fitojmë liberalizimin e vizave, partneritetin për paqe në NATO dhe, natyrisht hapat e mëtutjeshëm për integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian.

Natyrisht, është duke ardhur periudha e fundit e finalizimit të marrëveshjes së koalicionit dhe do të zyrtarizohet në ditët e ardhshme, prandaj, ne do të punojmë me gjithë energjinë dhe potencialet që kemi.

*****************

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shpërndarjen e kontigjencës për paga në organizatat buxhetore, në pajtim me Ligjin për buxhet për vitin 2014. Ministri Beqaj ka bërë të ditur se deri më tani rritja e pagave prej 25 për qind, është mbuluar nga ndarjet e rregullta buxhetore, por nga muaji tetor është paraqitur nevoja e ndarjes së kësaj kontingjente.

Po ashtu, është aprovuar kërkesa e Presidencës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerën prej 100 mijë euro për financimin e nevojave të Presidencës, në nënkategorinë mallra dhe shërbime; si dhe kërkesa e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ndarjen e mjeteve financiare prej 1 milionë euro për kategorinë kapitale: Libra.

Në këtë mbledhje, është marrë vendimi përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve, të cilat preken nga ndërtimi i Linjës 110 kilovoltëshe në komunën e Gjakovës, si dhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësimet për interes publik, të pronarëve të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i Objektit të Pikë-kalimit kufitar të përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë, Zona Kadastrale Stançiq, Komuna e Gjilanit.

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e asamblesë së Byrove dhe Kompanive të Sigurimeve, ku është miratuar unanimisht Draft-Marrëveshja mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit për çështjet e sigurimit të automjeteve, e cila marrëveshja në momentin e nënshkrimit, do të mundësojë uljen e tarifave për sigurimin e automjeteve dhe do të bëjë më tej lehtësimin e lëvizjes së lirë.

“Kjo marrëveshje, e cila pritet të nënshkruhet në Bruksel nga të tria palët, përfshirë edhe Këshillin e Byrove Evropiane, është në frymën e programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shërbime sa më të mira dhe jetë më të mirë për qytetarët, dhe në këtë kuadër edhe për lëvizjen e lirë, sepse ne edhe deri tash kemi dëshmuar se për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës qytetari është i pari”, ka theksuar zëvendëskryeministrja Tahiri.

Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, në kapacitetet e kryetarit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorëve të Kombit, të Invalidëve, Veteranëve, Ushtarëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë të ditur se nga 66 mijë e 339 aplikacione që ka pranuar komisioni, janë verifikuar 49 mijë e 307 aplikacione, apo rreth 75 për qind e tyre.
Nga aplikacionet e verifikuar, del që 17 mijë e 596 janë veteranë të luftës, 2 mijë e 869 janë invalid , të plagosur apo të lënduar në luftë; 1 mijë e 536 janë dëshmorë, 6 mijë e 195 pjesëtarë të UÇK-së, 13 mijë e 22 pjesëmarrës në luftë, për rishqyrtim janë 1 mijë e 235 kurse janë refuzuar deri më tani 6 mijë e 754 aplikacione si të pabaza.

Ministri Çeku ka potencuar se pa asnjë pengesë, tashmë të verifikuar janë duke realizuar përfitimet që ju takojnë me ligj, rrjedhimisht familjet e dëshmorëve marrin nga 448.6 euro dhe më e larta 758 euro në muaj; kurse invalidët përfitojnë nga buxheti duke nisur nga 225 euro deri më 448.13 euro në muaj.

I gjithë procesi i verifikimit pritet të përfundojë brenda këtij viti. “Ne mendojmë që nga fundi i vitit do të publikohen listat me të gjithë emrat e përfituesve. Atëherë afati do të jetë një muaj ditë që edhe aplikantët të ankohen nëqoftëse mendojnë se nuk iu është dhënë statusi për të cilin kanë aplikuar, por mund të aplikojnë edhe qytetarët nëse e shohin në lista se dikujt i është njohur statusi, por kanë dëshmi për të kundërtën. Ne si komision do të shqyrtojmë çdo ankesë” ka bërë të ditur ministri Çeku.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka bërë të ditur se deri më 19 dhjetor pritet ofertë për Kosovën e Re.

Nga ana tjetër, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota para kabinetit qeveritar ka bërë të ditur se punimet në autostradën Prishtinë-Han i Elezit kanë hyrë në fazën dinamike, dhe deri më tani është arritur përmbyllja e çështjes së shpronësimit në dhjetë kilometërshin e parë.

Duke kërkuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor që të përcjellin aktivisht me vendime për shpronësime, ministri Mujota ka bërë të ditur se në vitin 2015 synohet të punohet në 22 kilometra të reja të rrugës deri në Ferizaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat